Qalaj: Mospërkrahja e rezolutës për çmimin e rrymës tregon fytyrën e vërtetë të këtij pushteti
Foto: Laura Hasani

Qalaj: Mospërkrahja e rezolutës për çmimin e rrymës tregon fytyrën e vërtetë të këtij pushteti

Aktuale February 09, 2024 - 09:51

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka hedhur kritika në drejtim të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për moskalimin e Rezolutës për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe heqjen e blloktarifës.

Ai thotë se veprimet e sotme janë në kundërshtim me deklarimet e tyre sa ishin në opozitë.

“Ju e dini që pjesë e kampanjës së LVV-së në zgjedhjet e fundit qendrore ka qenë edhe çmimi i rrymës, që sipas tyre në atë kohë ka qenë shumë e shtrenjtë, ndërsa sot veprimet e partisë në pushtet janë të kundërta, pra ata e shtrenjtojnë rrymën për çdo ditë dhe kjo është bërë një barrë e madhe për qytetarët e Kosovës”, thotë Qalaj.

Qalaj konsideron se shtrenjtimi i energjisë është vërejtur nga të gjithë ekonomitë familjare dhe se mospërkrahja e kësaj Rezolute sipas tij “tregon fytyrën e vërtetë të këtij pushteti”.

“Ju e dini gjatë seancës së kaluar kemi biseduar dhe kemi pasur temë çështjen e ngritjes së rrymës dhe përveç deputetëve të opozitës nuk kemi pasur asnjë diskutim nga deputet e pozitës pra ata me njëfarë mënyre qëndrim zyrtarë kanë që ngritja e çmimit të rrymës është në rregull dhe sikurse ata të mos jetonin në Kosovë. Mendoj që secili konsumatorë pavarësisht gjendjes së tij ekonomike ka parë që çmimi i rrymës ka qenë dyfishuar, disa raste i trefishuar dhe vazhdon të jetë dhe mendoj që kjo është e pa pranueshme dhe është duke e dëmtuar secilën ekonomi familjare në Kosovë. Mosvotimi apo abstenimi i deputetëve të VV-së që të përkrah rezolutën e cila i bënte thirrje Qeverisë dhe institucioneve tjera për zvogëlimin e çmimit të rrymës, mendoj që tregon fytyrën e vërtetë të këtij pushteti”, u shpreh Qalaj. /eo