Shfuqizohet vendimi për këmbimin e pronave në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Shfuqizohet vendimi për këmbimin e pronave në Prishtinë

Aktuale February 08, 2024 - 15:22

Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme, ka anuluar vendimin për këmbim të pronave komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc.

Me 27 vota për, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shfuqizuar vendimin për këmbimin e pronave në Badoc.

Prezentë në momentin e votimit ishin vetëm 32 asamblistë.

Kjo seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e këtij vendimi ishte thirrur me kërkesë të LVV-së dhe mbështetje të PDK-së, e cila është në koalicion qeverisës me LDK-në në kryeqytet.

Kryetari, Përparim Rama para se ta lëshonte sallën së bashku me asamblistët e partisë së tij, ka thënë se ky vendim ka rrjedh nga një proces, i cili ka filluar nga qeverisja e kaluar.

“Për më tepër, ky proces ka rrjedh nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, pra Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal. Nga momenti që qeverisja jonë ka vazhduar këtë proces, janë ndjek të gjitha procedurat e parapara ligjore. Pra, për këtë çështje, janë dërguar pikat e rendit të ditës me kohë, përfshi këtë pikë për këmbim”, ka deklaruar Rama.

Mirëpo sipas tij, ndonëse një vendim i tillë është diskutuar dhe miratuar në Kuvend, nuk ka pasur reagime kundër nga asnjë parti politike.