Major Amir Gërguri emërohet drejtor i Divizionit të Njësive Speciale
Majori Amir Gerguri ka marrë udhëheqjen e Divizionit të Njësive Speciale, duke zëvendësuar kolonel Neshat Flugajn.
Më datë 6 shkurt të këtij viti, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka ngritur në pozitë majorin Amir Gerguri, duke drejtuar tani drejtorinë e Divizionit të Njësive Speciale.
Në këtë pozitë ishte kolonel Neshat Flugaj, i cili ka shërbyer në këtë detyrë për më shumë se 10 vjet.
Kolonel Neshat Flugaj është transferuar në rolin e drejtorit të Divizionit të Sigurimit të Objekteve, duke vazhduar kontributin e tij në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të objekteve të rëndësishme, kështu ka raportuar duke i siguruar dokumentet mediumi Periskopi.
Major Amir Gerguri, në pozitën e re si drejtor i Divizionit të Njësive Speciale, do të udhëheqë një ekip të përbërë nga Njësia Speciale Operative (NJSO), Njësia e Trajnimit dhe Misioneve të Jashtme (NJTME), si dhe ekipi K9.
Pjesëtarët e këtyre njësive do të marrin një pagesë rrezikshmërie prej 120 eurove, ndërsa major Amir Gerguri do të kompensohet me një tarifë prej 150 eurove për rrezikshmëri.