Murati Tahirit: Mos e akuzoni Qeverinë, jeni ju ata që po i bllokoni investimet kapitale
Foto: Laura Hasani

Murati Tahirit: Mos e akuzoni Qeverinë, jeni ju ata që po i bllokoni investimet kapitale

Aktuale February 08, 2024 - 12:15

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi Qeverinë se për tre vjet nuk ka bërë asnjë investim kapital.

Ndaj këtyre akuzave replikoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se projektet nuk po përkrahen nga opozita, teksa përmendi edhe çështjen e pagës minimale, për çka u shpreh se ka më shumë se një vit që është sjellë në Kuvend, por pa rezultat, raporton Zeri.info.

“Është vonuar pikërisht në Kuvend, sepse opozita ka penguar miratimin e pagës minimale, megjithatë në vitin e kaluar, në muajin korrik, ligji ose projektligji që e mundëson rritjen e pagës minimale ka kaluar në këtë Kuvend”, theksoi ndër të tjera ai.

Murati u shpreh se përveç kësaj, është pikërisht subjekti i Tahirit që ka mbledhur nënshkrimet dhe këtë projektligj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Prandaj para se të kërkoj Besnik Tahiri të rritet paga minimale dhe para se ta akuzojë Qeverinë pse nuk e ka rritur pagën, ai duhet t’u tregojë qytetarëve se është pikërisht ai që ka nënshkruar për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese, me blloku dhe me i lanë mbi 10 mijë qytetarë që do të kishin përfituar nga rritja e pagës minimale”, theksoi Murati. /Zëri