Rritet numri i turistëve në Shqipëri me 30% më shumë se viti 2023

Rritet numri i turistëve në Shqipëri me 30% më shumë se viti 2023

Aktuale February 07, 2024 - 17:05

Janari i vitit 2024 shënon rritje me 30% të turizmit në Shqipëri më shumë se janari i vitit të kaluar. Më saktësisht 489,599 turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit janar të këtij viti.

Këto shifra I bën të ditura Ministria e Turizmit dhe Mjedisit “Mirela Kumbaro”.

Sipas të dhënave Kosovarët kryesojnë listën e turistëve me 215 mijë vizitorë, përkatësisht 30% më shumë në krahasim më janarin e vitit të kaluar. Përveç Kosovarëve, turistë Italianë kanë qenë rreth 53 mijë, 50.4% më shumë e në vendin e tretë qëndrojnë vizitorët nga Mali i Zi ku janë 52.662 hyrje pra 32.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Po ashtu, ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me vitin e kaluar, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411%, Rumania me mbi 120%, Spanja me rritje 104%, Anglia me 10,545 vizitorë apo 62% më shumë se janari i vitit të kaluar, Suedia me një rritje 73% e Franca me rreth 3 mijë vizitorë, apo 41,7% më shumë krahasuar me janarin e vitit 2023.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në komunikimet e saj publike të fundit e ka cilësuar vitin 2024 si gurin e provës dhe një sfidë e përgjegjësi të madhe për të përballuar me sukses flukset e shtuara turistike. Disa nga masat e marra nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit për këtë vit janë mbështetja e 8 bashkive bregdetare me operatorë shtesë pastrimi, ngritja e një Task Force në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura dhe për të përmirësuar cilësinë e ujërave në plazhe, certifikimi i detyrueshëm i operatorëve turistikë detarë dhe prezenca e vrojtuesve në çdo stacion plazhi. Gjithashtu Shqipëria po përgatitet të marrë pjesë edhe në ITB Berlin, panairin më të madh të turizmit në botë, që zhvillohet në fillim të muajit mars. /Zëri