Kosova pritet të jetë pjesë e programit “Evropa digjitale”, nesër pritet të votohet në lexim të parë

Kosova pritet të jetë pjesë e programit “Evropa digjitale”, nesër pritet të votohet në lexim të parë

Aktuale February 07, 2024 - 11:50

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky program do të ndihmojë transformimin digjital dhe rritjen e përdorimit të teknologjive digjitale për bizneset dhe qytetarët në Kosovë.

“Ky program ka për qëllim riqasjen e digjitalizimit dhe përmes pjesëmarrjes në këtë program do të forcohet dhe zhvillohet edhe më tej bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës. Ky program përtej ndikimit në digjitalizim, synon t’i ofrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë dhe shoqërinë e BE-së, duke mbështetur digjitalizimin në përgjithësi. Kjo marrëveshje sipas procedurës protokollare është nënshkruar nga komision evropian”, u shpreh Rizvanolli.

Megjithatë, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pyeti ministren se pjesëmarrja në këtë program a do të ndikohet nga masat ndëshkuese që Kosova ka nga Bashkimi Evropian.

“E dimë se jemi nën sanksione dhe bllokime të Bashkimit Evropian, njëkohësisht kemi nisma ligjore për nënshkrim të marrëveshjeve të reja. A mund të na thoni se a kemi ndonjë sinjal se kjo punë do të zhbllokohet në raport me marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, pasi kemi disa fonde dhe marrëveshje që janë të bllokuara. A është edhe kjo pjesë e asaj pakete të sanksioneve që i ka Kosova”, pyeti ai.

Por, ministrja Rizvanolli tha se e njëjta është nënshkruar brenda periudhës që i janë vendosur masat ndëshkuese Kosovës dhe se nuk pret që të ketë ndikim në aplikimet në këtë program.

“Kjo marrëveshje është nënshkruar brenda periudhës që kemi qenë nën masa. Nuk ka ndikim dhe nuk presim të ketë ndikim në aplikimet e ardhshme në këtë program”, deklaroi ministrja Rizvanolli.

E detaje shtesë kërkoi edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.

Ai pyeti nëse “Ne si vend mund të aplikojmë që ne potencialisht jemi në qendër digjitale më intereson, ne tani kemi një park inovacionit në Vërmicë të Prizrenit dhe parkun teknologjik në Vërmicë që e kemi inauguruar së fundi, a mendoni që parku në Prizren dhe Vermicë kanë mundësi t’i plotësojnë kriteret të jenë si klasifikuara si qendra digjitale në Kosovë konfirm kësaj marrëveshje”, u shpreh Hyseni.

Ndërsa ministrja Rizvanolli deklaroi se buxheti nuk është i ndarë sipas shteteve, por aplikohet në bazë të thirrjeve.

“Aplikimi për qendra digjitale është një pjesë e këtij komponenti i këtij programi dhe ne presim që disa prej qendra tona t’i plotësojnë kushtet. Tani më qendra në Prizren ka aplikuar, ndërsa Vermica ende. Sa i përket kohës së bashkëngjitjes në këtë program, programi në BE ka filluar më herët, ndërsa vendet e rajonit janë bashkangjitur tani vonë. Buxheti nuk është i ndarë sipas shteteve por aplikohet në bazë të thirrjeve”, tha ministrja.

Në fund, deputetët kërkuan që kjo marrëveshje t’i propozohet nesër seancës plenare për miratim në lexim të parë. /Eo