Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë, flasin për rregulloren e BQK-së

Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë, flasin për rregulloren e BQK-së

Aktuale February 05, 2024 - 17:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka mirëpritur ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë për të diskutuar mbi çështje aktuale, por në veçanti për rregulloren e BQK-së për monedhat.

Kurti ndau qëndrimet e Qeverisë mbi këtë çështje dhe për rëndësinë që ka kjo rregullore, raporton Zeri.info.

“Ata sqaruan që rregullorja nuk ka cak ndalimin e dinarit apo të ndonjë valute tjetër, por synim ka rregullimin bankar dhe financiar në Kosovë. Rrjedhimisht rritjen e integritetit financiar të vendit dhe kufizimin e financimit të aktiviteteve ilegale, pastrimin e parasë, qarkullimin e parave të falsifikuara dhe formalizimin e ekonomisë”, thuhet në komunikatë.

Ndër tjera u bë e ditur se asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë në Kosovë ose në komunat me shumicë serbe nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores dhe se ky nuk është qëllimi i institucioneve.

Kurti u shpreh se as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia. Rreth 40 mijë qytetarë serbë në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa të tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës.

“Rregullorja mundëson pranimin e fondeve, pagave dhe pensioneve nga jashtë si formë e transfereve në këto llogari bankare, dhe sipas saj dinari mund të shërbejë si mjet për kursim fizik, në llogari kursimi në bankë dhe këmbehet në këmbimore të licencuara. Pra nuk pengon qasjen në financa, në të njëjtën kohë që qasja fizike ofrohet përmes bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare gjithandej vendit – vetëm në katër komunat në veri të vendit janë gjithsej 15 institucioneve financiare jo-bankare dhe katër degë të bankave komerciale”, thuhet ndër tjera. /Zëri