LDK-ja thotë se Qeveria në mungesë të koordinimit me aleatët po provokon tensione të reja
Foto: Laura Hasani

LDK-ja thotë se Qeveria në mungesë të koordinimit me aleatët po provokon tensione të reja

Aktuale February 05, 2024 - 14:47

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke vazhduar me reagimet e tyre sa i përket rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, ku ndalon së qarkulluari valutat e tjera në Kosovë, përveç asaj euro.

Ndërkombëtarët në reagimet e tyre kanë potencuar se veprimet e fundit në Kosovë mund të nxisin edhe tensione në komunat me shumicë serbe.

Këto deklarata të SHBA-së dhe BE-së duhet marrë me seriozitet nga Qeveria e Kosovës, kështu konsideron deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

Krasniqi, në një deklaratë për Telegrafin, ka pohuar se Qeveria në mungesë të koordinimit me aleatë po provokon tensione të reja.

“Deklarimet e fundit nga përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së që kanë për motiv vendimet e fundit të qeverisë ‘Kurti’ për mbylljen e komunave paralele dhe OJQ-ve duhet të merren me seriozitet të lartë dhe të ketë reflektim të menjëhershëm nga ky pushtet, i cili në mungesë të koordinimit me aleatët tanë po provokon tensione të reja dhe përkeqësim situate në veri të Kosovës”, është shprehur ajo.

Deputetja Krasniqi gjithashtu tha se janë pro shtrirjes së sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit, por e gjithë kjo duhet ndodhur në koordinim me partnerët.

“Ne jemi pro shtrirjes së sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit tonë, mirëpo veprimet e tilla duhet të bëhen në koordinim të plotë me partnerët tanë, SHBA dhe BE sidomos në këtë periudhë kohore kur gjendja duket të jetë me delikate në komunat veriore. Prandaj, po ritheksoj se duhet të ketë reflektim urgjent nga ana e Qeverisë, konform shqetësimeve të ngritura nga aleatët tanë”, ka potencuar ajo.

Ndryshe, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.

Në reagimet e tyre, ndërkombëtarët kanë kërkuar që Kosova të mos marrë veprime të njëanshme që mund të ndikojnë në tensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.

Sipas tyre, çështja e dinarit mund të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Në anën tjetër, Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar tashmë informatat e rëndësishme mbi rregulloren e re, ku ka ritheksuar se në Kosovë nuk mund të përdoret asnjë valutë tjetër përveç euros.