BE-ja reagon përsëri: Operacionet e Policisë dhe Rregullorja e BQK-së, hapa shqetësues që s’i kontribuojnë shtendosjes
Foto: Laura Hasani

BE-ja reagon përsëri: Operacionet e Policisë dhe Rregullorja e BQK-së, hapa shqetësues që s’i kontribuojnë shtendosjes

Aktuale February 05, 2024 - 14:18

Bashkimi Evropian sërish ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë veprimet e fundit të Kosovës kanë ngritur shqetësimet e Bashkimit Evropian (BE-së).

“Gjatë javës së kaluar kemi parë të paktën dy shembuj të aksioneve që kanë ngritur shqetësimet e BE-së. Njëri ishte Rregullorja e BQK-së dhe tjetri ishte operacioni i Policisë ndaj disa entiteteve të kontrolluara nga Serbia në veriun e Kosovës. Këta hapa janë shqetësues, sepse nuk i kontribuojnë shtendosjes së situatës. Ata nuk janë të koordinuar, janë të njëanshëm dhe janë ndërmarrë pa një nivel të nevojshëm të konsultimeve paraprake me qëllim që të parandalojnë ndikimin negativ që mund të kenë mbi njerëzit në terren. BE-ja ka reaguar ndaj dy veprimeve, kemi lëshuar deklaratë javën e kaluar nga përfaqësuesi i lartë dhe që është mbështetur nga Komisioni Evropian si shtesë të deklaratave të partnerëve ndërkombëtarë të BE-së. Dhe pastaj gjatë fundjavës kemi reaguar ndaj aksioneve të fundit të policisë në veri të Kosovës sërish së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Stano.

Ai tutje theksoi se hapat e njëanshëm mund të çojnë drejt përshkallëzimi i situatës.

Dhe kërkoi që të palët të kthehen te dialogu i lehtësuar nga BE-ja.

“Pra natyrisht se është shqetësuese të shihet se sekuencimi i hapave të njëanshëm mund të çojë drejt diçkaje që ne nuk duam ta shohim e kjo është përshkallëzimi i situatës në terren sepse një gjë është e qartë: nuk i kontribuon qetësimit të situatës dhe t’i bëjnë njerëzit të ndjejnë se jeta e tyre po përmirësohet. Pra krejt e kundërta. Prandaj kjo është e rëndësishme që të kthehemi te dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe të angazhohen shumë seriozisht. Puna rreth tij po vazhdon çdo ditë dhe përfaqësuesi i BE-së, Lajçaku po punon me partnerët edhe në rajon edhe në BE dhe natyrisht edhe me komunitetin e gjerë ndërkombëtar që t’u mundësojë të dyja palëve që të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive dhe t’i kthehen tavolinës së negociatave dhe të diskutojnë çështjet që janë vërtetë të rëndësishme pa bërë hapa të njëanshëm. Nuk jam në gjendje të paralajmëroj një datë të saktë dhe përfaqësuesi i BE-së ka detyrat e tij ditore dhe po angazhohet por ne shpresojmë se në një moment do të mund të paralajmërojmë një takim të nivelit të lartë që është një takim ndërmjet presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ku ne do të provojmë që të zgjidhim çështjet”, tha ai.

Stano u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen në procesin e konsultimeve dhe të shmangin siç thotë ai “hapat e mëtejmë të njëanshëm, sepse kanë efekte shumë kundërproduktive”. /Express