Gërvalla në Romë, pjesëmarrëse në Takimin Ministror rreth integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE
Foto: Facebook

Gërvalla në Romë, pjesëmarrëse në Takimin Ministror rreth integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Aktuale February 05, 2024 - 14:04

Me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, sot do të marrë pjesë në takimin ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, që do të mbahet në Romë.

Nën udhëheqjen e Tajanit do të mbahen dy sesione, ku temë kyçe do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe kontributi i sektorit privat në këtë proces, perspektiva e bizneseve italiane.

Në fjalën e saj para homologëve nga Ballkani Perëndimor, ministrja Gërvalla do të paraqesë perspektivën e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit në BE, progresin e arritur në demokraci, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, plotësimin e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon në fushën e sigurisë.

Në vazhdën e Ministerialit WB6 në Romë, Gërvalla do të takojë homologun e saj për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore të Italisë.