Serbët e zhvendosur nga Kosova bllokuan kalimin në Merdar
Foto: REL

Serbët e zhvendosur nga Kosova bllokuan kalimin në Merdar

Aktuale February 05, 2024 - 13:37

Serbët e zhvendosur nga Kosova të hënën vendosën një bllokadë në Rudar, në jug të Serbisë, pranë pikës kufitare me Kosovën, Merdar.

Trafiku u pengua nga një kamion që bllokoi rrugën për rreth një orë, nga mesdita.

Sipas mediave, organizator i bllokadës ishte Shoqata e serbëve të shpërngulur nga Kosova.

Komunikacioni u bllokua për të gjitha veturat, ndonëse fillimisht ishte paralajmëruar se nga ora 12:00 deri në orën 15:00 do të pengohej kalimi i veturave që drejtohen nga shqiptarë të Kosovës.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u ka bërë thirrje udhëtarëve që, për shkak të bllokimit të rrugës, të përdorin pikëkalimet kufitare të tjera për qarkullim.

Në Kosovë sërish janë ngritur tensionet pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që nga 1 shkurti valutë e vetme për transaksionet e pagesave do të jetë euroja, që nënkupton heqjen e dinarit serb.

Po ashtu, më 2 shkurt, në një aksion policor, autoritetet kosovare mbyllën tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat funksiononin paralelisht në sistemin serb.

Para kësaj, autoritetet kosovare mbyllën edhe katër komuna paralele serbe që vepronin ilegalisht në rrethin e Dragashit, në jug të Kosovës. /Rel