Pistorius: Vizat hap i rëndësishëm, nevojitet edhe progres në relacionet Kosovë - Serbi
Foto: Laura Hasani

Pistorius: Vizat hap i rëndësishëm, nevojitet edhe progres në relacionet Kosovë - Serbi

Aktuale February 05, 2024 - 13:04

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin tha se liberalizimi i vizave për Kosovën ishte një hap shumë i rëndësishëm.

Ai gjithashtu u shpreh se nevojiten edhe stabiliteti politik, si dhe progresi në relacionet Kosovë - Serbi.

“Liberalizimi i vizave nga fillimi i këtij viti ishte një hap i mirë dhe i rëndësishëm, tani nevojiten stabiliteti politik, ligjor dhe ekonomik dhe na duhet progres i dukshëm në relacionet Kosovë dhe Serbi, kjo është e rëndësishme për rajonin, por edhe për vendin tuaj dhe gjithë Evropën”, u shpreh ai.

Pistoriusi tha se Gjermania, pas SHBA-së, është njëra nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës si në aspektin civil, ashtu edhe në atë ushtarak.

“Gjermani pas SHBA-së është njëra nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës si nga aspekti civil dhe ai ushtarak dhe kjo do të jetë kështu edhe në të ardhmen, këtë ua siguroj. Ne tashmë po bashkëpunojmë me sukses në shumë fusha”, tha ai.

Ministri gjerman tutje u shpreh se KFOR-i mbetet si garantues për stabilitet dhe siguri dje sipas tij, do të mbetet edhe më tej pranishëm në Kosovë.

“KFOR-i mbetet dhe kështu është bërë e qartë edhe në muajt e kaluar, si garantues për stabilitet dhe siguri, ai do të mbetet edhe më tej këtu i pranishëm në Kosovë”.

“Stabiliteti i rajonit dhe i Kosovës është i një rëndësie të veçantë për ne, ne e dimë edhe nga historia e Evropës në 50 vjetët e kaluar se stabiliteti ose jostabiliteti në Ballkan ka luajtur një rol të madh dhe ka pasur një ndikim të madh të sigurisë në të gjithë Evropën, prandaj angazhimi ynë është edhe shprehje e solidaritetit për të kontribuuar këtu në këtë mënyrë edhe në të ardhmen”, u shpreh tutje ai.