Osmani: Gjermania partnere besnike, aleate tradicionale dhe historike e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Osmani: Gjermania partnere besnike, aleate tradicionale dhe historike e Kosovës

Aktuale February 05, 2024 - 12:41

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Në konferencën e përbashkët për media, e para e shtetit tha se Gjermania është partnere besnike, aleate tradicionale dhe historike e Republikës së Kosovës.

“Gjermania ka qëndruar pranë nesh jo vetëm gjatë periudhave të rënda, por edhe në procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit dhe vazhdon të jetë aleat yni i fortë, përderisa vazhdojmë forcojmë demokracinë tonë dhe pozitën tonë ndërkombëtare. Ndaj shteti i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës”, tha Osmani.

“Bashkë diskutuam çështjet e interesit të ndërsjellë, me theks të veçantë se si shtetet tona mund të avancojnë edhe më shumë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kosova mbetet e përkushtuar që krahas aleatëve të saj të vazhdojë të ndërtojë ushtrinë e saj me standarde të larta të NATO-s në një forcë moderne, e cila është e gatshme të mbrojë shtetin tonë dhe po ashtu të vazhdojë të kontribuojë në misione të ndryshme paqeruajtëse në botë. Tani është koha që Kosova t’u bashkohet partnerëve të saj si anëtare e NATO-s duke filluar me partneritetin për paqe. Një hap i tillë do të ndikonte pozitivisht në sigurinë, paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Osmani po ashtu foli edhe për sulmin terrorist ndaj Kosovës të udhëhequr nga Serbia, duke thënë se për t’i parandaluar sulmet e tilla, vendi ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë, sikurse edhe aleatëve të tjerë.

“Sulmi terrorist i 24 shtatorit ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor. Hetimet zyrtare konfirmojnë se prapa këtij sulmi qëndron Serbia dhe institucionet e saj nga organizimi te furnizimi me armatim e pajisje. Sot në vend se Serbia t’i ekstradojë terroristet vazhdon t’i inkurajojë ata për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin, përderisa për fat të keq Serbisë nuk i janë shqiptuar masa nga Bashkimi Evropian”, tha Osmani.

Tutje, presidentja tha se suksesi i Kosovës është dëshmia më e mirë e angazhimit gjerman në Kosovë dhe për Kosovën.