Kurti i ftoi ambasadorët e QUINT-it, ja për çfarë po diskutohet brenda takimit

Kurti i ftoi ambasadorët e QUINT-it, ja për çfarë po diskutohet brenda takimit

Aktuale February 05, 2024 - 12:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke zhvilluar takim në ndërtesën e Qeverisë, me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Telegrafi mëson se ky takim po ndodh me ftesë të kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë takimit është diskutuar rreth zhvillimeve aktuale, me theks te rregullorja e Bankës Qendrore.

Ambasadori Jeff Hovenier ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë pas përfundimit të këtij takimi.

Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian e ambasadat e QUINT-it në Kosovë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë rregullore, duke thënë se kjo do të ketë ndikim te serbët lokalë që marrin përkrahje financiare nga Serbia.

Ata kanë kërkuar që të shtyhet një vendim i tillë dhe të gjendet një zgjidhje praktike në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dhënë 20 sqarime në lidhje me rregulloren e re që hyri në fuqi më 1 shkurt dhe e cila parasheh përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, që përdoret nga serbët që jetojnë në Kosovë.

BQK-ja ka sqaruar se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës mund të pranojnë ndihmat e tyre financiare, pensionet apo pagat nga Serbia në llogaritë e tyre bankare në euro përmes bankave që operojnë në Kosovë e që janë të licencuara nga BQK-ja.

BQK-ja ka thënë se pasi t’i pranojnë këto të ardhura në euro, secilit qytetar që mund t’i nevojiten në dinarë atëherë mund t’i kthejë ato në këmbimore të licencuar.