Muja reagon ndaj BE-së: Askush s’po i hedh benzinë zjarrit
Foto: Laura Hasani

Muja reagon ndaj BE-së: Askush s’po i hedh benzinë zjarrit

Aktuale February 05, 2024 - 11:52

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se derisa zbatimi i kushtetutshmërisë nëpërmjet mbylljes së strukturave paralele serbe po konsiderohet masë e njëanshme, Serbia s’ka asnjë masë për sulmin në Banjskë.

Muja ka shkruar në Facebook se veprimi i Serbisë shkakton çekuilibrim të procesit të dialogut dhe i nxit grupet e dhunshme të veprojnë dhunshëm.

“Si mundet që mbyllja e komunave/strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i kushtetutshmërisë së Kosovës të konsiderohet masë e njëanshme e Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe aleatë e tjerë. Askush nuk po i hedh benzinë zjarrit. Por disa deklarata të partnerëve tanë mund të përdoren për fertilizim të tokës për tensione nga Serbia përmes grupeve kriminale. Dhe në të njëjtën kohë dekurajojnë integrimin e mëtejmë të qytetarëve serb në Kosovë”, shkroi Muja.

Reagimi i tij vjen pasi Bashkimi Evropian e ka quajtur veprim të njëanshëm të Kosovës mbylljen e disa zyrave paralele serbe që operonin në disa komuna të Kosovës.