Pasi u dënua për rastin e 53 milionëve, Lekaj: Jam i gatshëm gjithmonë të kontribuojë për të mirën e Kosovës
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i dënuar me tri vjet e 8 muaj burgim për 53-milionëshin, ka deklaruar se do të vazhdojë të punë për të mirën e Kosovës.
Në një takim me qytetarë, Lekaj është shprehur të dielën se është i pafajshëm dhe është i gatshëm “të jap kontributin për të mirën e përgjithshme”.
“Kam dashtë që të komunikoj me ju drejtpërdrejt dhe të ju them që në këtë proces jam i pafajshëm dhe do të qëndroj sikur kam qëndruar edhe përpara dhe në çdo kohë jam i gatshëm të jap kontributin tim për të mirën e Kosovës dhe të mirën e përgjithshme”, është shprehur Lekaj.
Ish-ministri në Qeverinë Haradinaj u shpall fajtor të mërkurën (31 janar) nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.
Lekaj është dënuar edhe me dënim plotësues, që ia ndalon për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike.