Largimi i dinarit nga Kosova, mediat në rajon komentojnë fjalimin e presidentit serb: “Vuçiqi i tërbuar”

Largimi i dinarit nga Kosova, mediat në rajon komentojnë fjalimin e presidentit serb: “Vuçiqi i tërbuar”

Aktuale February 02, 2024 - 23:15

Fjalimi i sotëm i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar opinionit serb lidhur me largimin e dinarit serb nga transaksionet monetare në Kosovë ka tërhequr vëmendjen e mediave në rajon.

Në Kosovë të enjten ka hyrë në fuqi Rregullorja e i Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që pagesat dhe transaksionet monetare të bëhen ekskluzivisht në euro, gjë që rriti shqetësimin e komunitetit serb në Kosovë, sepse ata marrin paga dhe pensione nga Serbia në dinarë, shkruan “Danas”.

“ Jutarnji.hr” shkruan se “Vuçiq është tërbuar”.

“Serbia do të kërkojë një seancë të urgjente të Këshillit të Sigurimit për shkak të vendimit të Kosovës për heqjen e dinarit në transaksionet e pagesave”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe duke e cilësuar vendimin “kriminal”, vlerësoi se qëllimi i tij ishte spastrimi etnik i serbëve, raporton portali kroat.
Vuçiq u tha sot gazetarëve në një fjalim publik se “vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për largimin e dinarit serb nga sistemi i pagesave në Kosovë paraqet goditjen më të fortë deri më tani dhe kërcënimin e persekutimit dhe dëbimit të serbëve”, transmeton Telegrafi.

Slobodna Bosna” raporton se Vuçiq ka thënë se të hënën Serbia do të dorëzojë me shkrim kërkesën për mbajtjen e seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës sipas të cilit euro është valuta e vetme e pagesës.

Vuçiq theksoi se e dinë se ky nuk është fundi dhe se shpreson që të mbahet një seancë ë veçantë e KS të OKB.

 

Portali malazez “CDM.me” raporton se, sipas Vuçiqit, nuk do të ketë bisedime ndërmjet Bankës Popullore të Serbisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës për atë temë dhe se Prishtina kur i kërkon ato bisedime, në fakt kërkon njohje.

“Ne besojmë se regjimi i Kurtit do të vazhdojë me pengesa dhe mashtrime të reja”, tha presidenti i Serbisë.

“Index.hr“, duke cituar presidentin e Serbisë, shkruan se shteti i Serbisë paguan 31,831 rroga të punëtorëve në Kosovë, 29,115 pensione, pagesa sociale për 31,586 përfitues dhe 2,430 bursa.

Kosova, me Rregulloren e BQK-së insiston që të gjitha pagesat me para të gatshme dhe transaksionet monetare të kryhen ekskluzivisht në euro, me këmbimin e zakonshëm të valutave përmes sistemit bankar dhe financiar.