Kryeziu për vendimin e BQK-së: Serbia po bën propagandë e po nxitë frikë te qytetarët

Kryeziu për vendimin e BQK-së: Serbia po bën propagandë e po nxitë frikë te qytetarët

Aktuale February 02, 2024 - 21:37

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit në veri ka thënë se Serbia po bën propagandë që nuk bazohet në fakte, por vetëm nxitë frikë te qytetarët.

Kryeziu ka thënë se mekanizmat e qeverisë janë duke punuar që gjithçka të shkojë mirë, qetë dhe në siguri. Sipas tij, çdo problem i imagjinuar do të adresohet me shpejtësi.

“Në takimet dhe komunikimet me partnerët tanë i kemi diskutuar të gjitha shqetësimet e tyre. Ka shumë propagandë që vjen nga Serbia e që nuk bazohet në fakte por vetëm në nxitje të frikës. Jemi të interesuar dhe të angazhuar që gjithçka të shkojë mirë, qetë dhe në siguri. Çdo problem i imagjinuar apo real do ta adresojmë me shpejtësi. Do të mbajmë komunikim të rregullt me partnerë tanë. Do të ketë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët nga radhët e komunitetet jo shumicë serb”, tha Kryeziu për Tëvë1.

Ai bëri të ditur që Banka Qendrore tashmë ka rritur intensitetin e informimit në lidhje me pikat kryesore të rregullores.

“Mekanizmat e qeveris që kanë për obligim zbatimin në praktikë të kësaj rregulloreje do të fokusohen që në këtë fazë të investojnë më shumë në informim dhe edukim të bizneseve dhe qytetarëve e jo në masa ndëshkuese.  Banka Qendrore tashmë ka rritur intensitetin e informimit në lidhje me pikat kryesore të rregullores. Në të njëjtën kohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është përkujdesur që Agjensioni për Regjistrimin e Bizneseve të fillojë operimin edhe në katër komuna në veri të Kosovës, në mënyrë që bizneset të mund të regjistrohen e fiskalizohen”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.

Kryeziu deklaroi se në komunat veriore janë katër degë të bankave dhe 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro.

“Bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë dhe janë udhëzuar të hapin degë të reja në katër komunat veriore të vendit dhe po ashtu Banka Qendrore i detyron të njëjtat që të ofrojnë xhirollogari bankare bazike e të cilat nuk bartin asnjë kosto për poseduesit e tyre.

Për fund, Kryeziu tha se qytetarët serbë tashmë janë shumë më të integruar dhe më të gatshëm që të integrohen edhe më tej në sistemin bankar të Kosovës.

“Janë gati 27 mijë pensionistë nga komuniteti serb që pranojnë transfere mujore në xhirollogaritë e tyre bankare. Një dëshmi tjetër është edhe fakti që me fillimin e shtesave për lehona dhe fëmijë nga viti 2021, janë mbi 5 mijë qytetarë nga komuniteti serb në Kosovë që kanë përfituar nga këto shtesa e të cilat i kanë pranuar ose vazhdojnë t’i pranojnë çdo muaj”, shtoi ai.

Ndërkohë, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Ndërkaq, sot Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës i ka bërë thirrje Kosovës ta pezullojë “menjëherë” këtë vendim. Ndërsa, dje kundër këtij vendimi ka qenë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenierr, i cili ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë zbatimin e saj. Njëzëri është shprehur edhe Komisioni Evropian.