Policët ende në pritje të përgjigjes nga Qeveria për takim
Foto: Laura Hasani

Policët ende në pritje të përgjigjes nga Qeveria për takim

Aktuale February 02, 2024 - 17:12

Pakënaqësitë e tyre i shprehën vazhdimisht gjatë vitit të kaluar.

Pjesëtarët e Njësive Speciale të Kosovës por edhe të njësive tjera, protestuan dy herë para objektit të Qeverisë.

Ata iu drejtuan pushtetit me disa kërkesa, ku në theks ishin përmirësimi i kushteve dhe rritja e shtesave për rrezikshmëri e benefite tjera.

E një takim rreth mosrealizimit të këtyre kërkesave, pjesëtarët e të gjitha njësive e patën edhe të enjten në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri tregon se aty u diskutua lidhur me veprimet e mëtejme që do t’i ndërmarrin si rrjedhojë e mosreflektimit të Qeverisë.

Kryesindikalisti thotë është paraparë një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, nëse ky takim nuk realizohet atëherë do të diskutojnë mundësinë e protestave tjera.

Se këto kërkesa janë të arsyeshme, e thotë edhe ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Porse, ky vlerëson se deri tek hendeku mes Qeverisë e Policisë ka ardhur si pasojë e inateve politike.

Tëvë1 ka kërkuar përgjigje nga kjo Ministri se a është në plan që të realizohet një takim i tillë, por që deri në publikimin e kronikës nuk ka pasur përgjigje.