Konjufca s’beson që do të sanksionohet Kosova, pas ndalimit të dinarit
Foto: Laura Hasani

Konjufca s’beson që do të sanksionohet Kosova, pas ndalimit të dinarit

Aktuale February 02, 2024 - 12:57

Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk beson që do të ketë sanksione ndaj Kosovës, pas ndalimit të dinarit të Serbisë me rregulloren e Bankës Qendrore.

“Nuk besoj se do të ketë sanksione ndërkombëtare për këtë çështje”, ka thënë Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Kryeparlamentari ka thënë se Qeveria do të bënte shkelje sikur të fuste duart në vendimet e BQK-së.

Ai ka thënë se dinari është dashur të ndalohet kur është larguar Serbia nga Kosova, në vitin 1999.

Konjufca ka deklaruar se nuk del situata nga kontrolli shkaku i largimit të dinarit.

“Shqetësimi ishte që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi. Ne i sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë dhe që siguria do t’u ofrohet të gjithëve. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë”, ka deklaruar Konjufca, duke iu përgjigjur paralajmërimeve të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se mund të ketë tensione në veri pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila specifikon se vetëm euroja është valutë zyrtare në Kosovë.

Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja e BQK-së që ndalon valutat tjera të qarkullojnë në tregun e Kosovës përpos euros. Vendet e BE-së i kanë bërë thirrje Qeverisë të shtyje zbatimin e vendimit për një kohë derisa komuniteti serb të jetë gati. Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë dhe të BQK-së kanë thënë se s’mund të shtyhet zbatimi i vendimit pasi një veprim i tillë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. /BetimipërDrejtësi