Haradinaj: Koeficienti prej 110 eurove s’e ndal trendin e ikjes së profesionistëve nga vendi
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Koeficienti prej 110 eurove s’e ndal trendin e ikjes së profesionistëve nga vendi

Aktuale February 01, 2024 - 15:57

Anëtari i Kryesisë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas rritjes së pagave në sektorin publik.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo ngritje nuk e zbut aspak krizën ekonomike të familjeve.

Postimi i plotë:

Dje u ekzekutuan pagat në sektorin publik. Mjafton të bëhet një analizë e thjeshtë që të evidentohet impakti minimal që ka pasur ngritja e koeficientit nga 105 në 110 euro.

- Një rreshteri të Policisë së Kosovës i është rritur paga për 32 euro;

- Policit të thjeshtë 25 euro;

- Mësimdhënësit 29 euro;

Në administratë:

- Drejtorit të Departamentit 41 euro;

- Udhëheqësit të divizionit 31 euro;

Ndërsa zyrtarëve që në numër janë shumë, d.m.th. 80% e administratës, rreth 20 euro, ushtarit 28 euro.

Ngritjen më të lartë e kanë pozitat e larta politike duke filluar nga presidentja e vendit, kryetari i Kuvendit, kryeministri etj.

Po ashtu, ngritje të lartë kanë edhe këshilltarët politikë.

Pra, me këtë koeficient dhe me këtë ngritje pagash, nuk do të bëhet zgjidhja e nevojshme e cila do të zbuste krizën ekonomike të familjeve tona dhe kësisoj nuk do ta ndalë trendin e ikjes së profesionistëve nga vendi.