Ambasadori Hill: Marrëveshja e Ohrit s’nënkupton që Serbia duhet ta njohë Kosovën

Ambasadori Hill: Marrëveshja e Ohrit s’nënkupton që Serbia duhet ta njohë Kosovën

Aktuale February 01, 2024 - 14:36

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se shpreson që qeveria e re e Serbisë të formohet në një periudhë më të shkurtër se ajo e mëparshme, në mënyrë që ndërtimi i marrëdhënieve të mira dypalëshe të vazhdojë, duke theksuar se është plotësisht i vetëdijshëm për tensionet politike pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Ai ka thënë se Marrëveshja e Ohrit nuk nënkupton njohje, por normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hilli tha për portalin Bujanovacke se Serbia e ka përmbushur një pjesë të mirë të asaj marrëveshjeje dhe më e rëndësishmja që mbetet është gjetja e mënyrës që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, siç theksoi ambasadori, Serbia ka të drejtë në Bashkimin e Komunave Serbe. “Në Kosovë, ata e shohin Asociacionin si një lloj Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, por ai nuk ka ngjashmëri me Bosnjë dhe Hercegovinën. Megjithatë, secili ka të drejtën e mendimit të tij, por jo të shtrembërojë faktet” ,tha Hilli.

Ai ka theksuar se kuptimi i Marrëveshjes së Ohrit është “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Që njerëzit duke kaluar nëpër pikat kufitare nuk mendojnë për politikë, por për rritjen e cilësisë së jetës së tyre”, tha ai.

Ai theksoi se beson në normalizim, sepse “çdo gjë është e realizueshme nëse njerëzit duan të flasin”. /express