AGK-ja dhe KMSHK-ja ftojnë Qeverinë të tërhiqet nga propozimi për KPM-në: Tendencë për t’i sulmuar mediat

AGK-ja dhe KMSHK-ja ftojnë Qeverinë të tërhiqet nga propozimi për KPM-në: Tendencë për t’i sulmuar mediat

Aktuale February 01, 2024 - 13:42

Ligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, i miratuar nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar, po kundërshtohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Komisioni i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin, i cili synon që video dhe audiomaterialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Por sipas AGK-së dhe KMSHK-së, në këtë projektligj janë bërë disa ndryshime të mëdha që do të ndikojnë direkt në punën e mediave online.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në një konferencë për media tha se këto ndryshime që janë propozuar i shohin si përpjekje të Qeverisë aktuale për t’i sulmuar mediat dhe tendencë për t’i kontrolluar ato.

“Sepse parashihet që KMP-ja t’i kontrollojë dhe ndëshkojë ato media online që kanë përmbajtje të videove, duke përfshirë nevojën që ato të licensohen në mënyrë të veçantë. Këtë e shohim si një tjetër përpjekje dhe sulm të Qeverisë ndaj lirisë së medias”, deklaroi Rexha.

Ai ftoi Qeverinë të tërhiqet nga këto ndryshime dhe të ftojë në dialog të gjithë akterët; mediat dhe shoqërinë civile.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, tha se me këtë projektligj për herë të parë në historinë e re të Kosovës – ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video.

“Nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror. Ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian, janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”, u shpreh ajo.

Ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë:

1. Mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja;

2. Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit;

3. Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja;

4. Mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%;

5. Mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro;

6. KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht;

7. Anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

Kusari, mes të tjerash, theksoi se aparati shtetëror do të përdoret lehtësisht kundër secilit medium online nën kërcënimin e gjobave të mëdha deri në 40,000 mijë euro, gjobë kjo që mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.

“Projektligji duhet të shihet si vazhdimësi e qasjes armiqësore të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe
tentativës së saj të vazhdueshme për t’i disiplinuar ato”, tha ajo.