Pas vendimit të gjykatës, Avni Arifi i kërkon dorëheqjen Pal Lekajt
Ish-anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, i ka kërkuar dorëheqjen nga kjo parti, Pal Lekaj, të cilit sot gjykata e shpalli fajtor për ndarjen e 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se me një veprim të tillë Lekaj i bënë nder vetes dhe partisë.
“Meqenëse procesi nuk ka përfunduar dhe është herët që të prejudikohet fajësia apo pafajësia e z. Lekaj, i takon atij që procesin e dyshuar ta mbroj vet në cilësinë e qytetarit e jo duke mbajtur pozicionin e deputetit dhe nënkryetarit të AAK-së. Pali me dorëheqje i bën nder vetes dhe partisë”, ka shkruar ai.
Sipas aktgjykimit, Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
“Sot çdo njeri i AAK-së që pushtetin e sheh si besim dhe shërbim e të tillë janë me mijëra u goditën rëndë nga dënimi i deputetit dhe nënkryetarit të AAK-së z. Pal Lekaj. Meqenëse procesi nuk ka përfunduar dhe është herët që të prejudikohet fajësia apo pafajësia e z. Lekaj, i takon atij që procesin e dyshuar ta mbroj vet në cilësinë e qytetarit e jo duke mbajtur pozicionin e deputetit dhe nënkryetarit të AAK-së”, ka shkruar Arifi ndër të tjerash në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Pali me dorëheqje i bën nder vetes dhe partisë. Si ish-kolegë dhe bashkëpartiak e kam të vështirë të besoj se z.Lekaj është fajtor por si qytetarë i Kosovës besoj në sistemin juridik të Kosovës dhe në verdikt të final nga Gjykata e Apelit çfarëdo që të jetë ai. Z.Lekaj pavarësisht se është i respektuar nga shumë qytetarë ai tani është subjekt i drejtësisë dhe nuk e ndihmon as veten as AAK-në me aktivitet politik”, ka shkruar Arifi në Facebook.