Mbretëresha e bletëve: Lufta e 11-vjeçares nga Prishtina për ta mbrojtur Tokën
Përgjatë 89 kilometrave që ndajnë Prishtinën nga Krusha e Madhe, Rozi Ukajt i rrinte në mendje një fjali e shkencëtarit Albert Einstein.
“Nëse bleta do të zhdukej nga faqja e tokës, njeriut do t'i mbeteshin vetëm katër vjet jetë”, ishte fjalia në të cilën 11-vjeçarja kishte hasur, teksa lundronte në një aplikacion edukues të shkollës që ajo ndjek.
Që atëherë, jeta e prishtinases është pushtuar nga këto insekte verdhëzeza. Atë e udhëzon vetëm një qëllim: ta parandalojë testimin e këtij parashikimi duke luftuar për lulëzimin e bletëve në Tokë.
Vitin e kaluar, në Ditën Ndërkombëtare të Bletëve, më 22 maj, Rozi dhe familja e saj bënë udhëtimin drejt Krushës së Madhe - pjesa perëndimore e Kosovës - ku vizituan bletarinë “Korr e Ha n’Katun”.
E veshur në të bardhë si një bletare, Rozi ishte e vetmja nga e gjithë familja që nuk frikësohej të afrohej te kosheret e bletëve dhe të mbante në duar një kornizë druri të mbushur me dyll, mjaltë e bletë punëtore.
“Berati dhe Iliri [pronarët e biznesit] më mësuan se cilat pajisje duhet t’i ketë një bletërritës, si funksionojnë ato... Pastaj e përjetova edhe krijimin e një koshereje të re. Ishte një vend shumë i bukur, thjesht magjik”, thotë Rozi për Radion Evropa e Lirë.
Pas përvojës së saj në Krushë të Madhe, Rozi nuk reshti së hulumtuari për gjendjen e bletëve në Kosovë dhe botë. Në një librari pranë banesës së saj, ajo bleu çdo libër që gjeti për bletët.
Darkat e familjes Ukaj dominoheshin nga diskutime lidhur me rëndësinë e bletëve për jetën në Tokë edhe kur ata kishin mysafirë. Vaktet shërbeheshin edhe me fakte të ndryshme për bletët.
Për të prodhuar një kilogram mjaltë, një bletë duhet të vizitojë katër milionë lule.
Aristoteli, filozofi i njohur grek, ka shkruar se ilirët ishin bletarë të shkëlqyer.
Numri i koshereve të bletëve në Kosovë, në vitin 2022, ishte 196.122.
Nëna e Rozit, Merita, dhe babai i saj, Arianiti, qeshin teksa kujtojnë se si mysafirët ishin ankuar se në atë shtëpi nuk flitej për asgjë tjetër veç bletëve dhe rëndësisë së tyre.
Megjithatë, jo të gjitha informacionet që Rozi ka marrë për bletët, i kanë dhënë asaj arsye për të buzëqeshur.
“Sa më shumë që hulumtoja, e kuptoja më mirë rolin e rëndësishëm të bletëve. Po ashtu, kuptoja që bletët ishin në rrezik kudo në botë. Kjo, për shkak të ndryshimeve klimatike, përdorimit të pesticideve në bujqësi, ndërtimit të shpejtë dhe prishjes së habitateve të tyre”, tregon Rozi.
Edhe në Kosovë, këto fenomene kanë dëmtuar bletët. Vitin e kaluar, bletarët u ankuan se shkaku i motit me shi dhe temperaturave të ulëta në pranverën e vonshme dhe verën e hershme, ata janë detyruar të shpenzojnë para shtesë për t’i mbajtur gjallë kosheret me bletë.
Megjithatë, bletët e mjaltit - të cilat mbahen nëpër koshere në bletari - nuk janë specie në rrezik për zhdukje. Janë shumë lloje të bletëve të egra, të preferuarat e Rozit, ato që janë në rrezik për zhdukje nëpër botë.
Të gjitha llojet e bletëve polinizojnë bimët, por edhe bletët e egra që nuk prodhojnë mjaltë, janë kyçe për mbijetesën e zinxhirit ushqimor, pasi që një e treta e prodhimit të ushqimit në botë varet nga to, sipas të dhënave të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) të Kombeve të Bashkuara.
Zvogëlimi i hapësirave të gjelbra, shkaku i ndërtimeve urbane, bën që ambienti i jetesës të jetë më pak i përshtatshëm për bletët. Në Kosovë, shndërrimi i tokave bujqësore në toka për qëllime ndërtimore apo industriale cilësohet nga ekspertë të bujqësisë si dukuri shqetësuese.
Nga pranvera, Rozi do t’i nisë përpjekjet kundër këtij fenomeni.
Familja e saj ka vendosur të investojë në disa koshere të bletëve në Krushë të Madhe, ndërsa në të ardhmen planifikon të investojë edhe në hapësira të tjera nëpër Kosovë.
Por, aktivizmin për bletët, 11-vjeçarja po e bën edhe duke përkrahur punën e bletarëve që njeh, të cilët janë ankuar se nuk marrin mjaftueshëm ndihmë nga shteti.
Në një takim të javës së kaluar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, Rozi ia dha atij një kavanoz me mjaltë të prodhuar nga bletarët e “Korr e Ha n’Katun”.
“Ambasadori më premtoi se do t’ia dërgojë atë kavanoz Mbretit të Anglisë”, thotë Rozi duke buzëqeshur.
Me buzëqeshje në fytyrë dhe informacionet për bletë në maje të gjuhës, Rozi shpreson të sjellë ndryshim në Kosovë.
Natyra dhe shkenca, parajsa e Rozit
Edhe pse vetëm 11 vjeçe, Rozi tashmë e ka të qartë ëndrrën për të ardhmen: të bëhet arkitekte.
“Por, do të jem gjithmonë një aktiviste e bletëve”, thotë Rozi, e cila e ka pasion edhe pianon dhe ndjek klasën e pestë në shkollën e muzikës.
Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: