Gjykimet në Hagë, MD-ja synon të kategorizojë pagesat e avokatëve mbrojtës
Në katër nivele të kompleksitetit i ka ndarë Ministria e Drejtësisë rastet që trajtohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Këtë ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu synon ta bëjë përmes ndryshimit dhe plotësimit të udhëzimit administrativ, në bazë të të cilit kryhen pagesat për mbrojtjen e të akuzuarave nga Gjykata Speciale.
Aty parashihet kategorizimi dhe limitet e pagesave për avokatët mbrojtës në bazë të rastit që kanë, ku vlera më e lartë arrin në 110 mijë euro për muaj.
Sipas avokatit të akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, me këtë ndryshim parashihet pagesë më e ulët për rastet që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë, e që kohën e fundit janë shpeshtuar.
“Varësisht nga shkalla e kompleksitetit të lëndës është përcaktuar edhe lartësia e financimit dhe po ashtu është bërë një dallim për financimin e rasteve të mbrojtjes tek krimet e luftës dhe financimit të mbrojtjes për rastet e pengimit te drejtësisë dhe për këtë të fundit janë përcaktuar limite shumë të ulëta të financimit”, ka thënë Qerkini.
Kurse avokati tjetër, Taulant Hodaj ka deklaruar se kostoja e lartë ka mundësi ta ketë shtyrë ministrinë për ta bërë këtë ndryshim.
“Siç duket lartësia ka qenë shumë e madhe e ministria ka kufizuar kjo edhe ka qenë qëllimi, por përtej kësaj është i kushtueshëm një proces gjyqësor pranë Hagës, pranë Gjykatës Speciale sepse duhet ekspertizë pastaj është me një vend në Holandë ku janë çmimet e shtrenjta, dhe një ekip i tërë i mbrojtjes që zakonisht do angazhim shumë të madh”, është shprehur Hodaj.
Në anën tjetër, ish-sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, ka thënë se ligji i vitit 2015 ka pasur shumë mangësi, por sipas tij, ministria duhet të japë më shumë sqarime për këtë udhëzim.
“Ligji i vitit 2015 ndonëse jep bazë ligjore megjithatë ka qenë ligj tejet i mangët. Udhëzimet administrative që janë aktualisht në fuqi kanë dalë në bazë të rekomandimeve që kemi marr aso kohe nga zyra e auditorit të përgjithshëm, andaj ne kemi parë së fundmi një publikim të MD-së që plotëson dhe ndryshon njërin prej udhëzimeve administrative, që përfshihen dy paragrafë që nënkuptohet se në rastin e tejkalimeve të tarifave të përcaktuara në UA, është njësia përkatëse brenda MD-së që i shqyrton dhe propozon komisionit”, ka theksuar Bajraktari.
Vetë Ministria e Drejtësisë ka thënë se kjo po bëhet edhe si obligim institucional për të mbrojtur të vërtetën e UÇK-së, dhe se ka qenë e nevojshme rishikimi i tarifave për veprat që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë.
“Qëllimi i Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është që të mbështesim financiarisht ekipet mbrojtëse të personave të cilët ballafaqohen me akuza për krime lufte, e të cilin konsiderojmë edhe si obligim institucional për të mbrojtur të vërteten e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Ne kemi vlerësuar se sa i përket personave të cilët akuzohen për pengim në drejtësi, duhet të bëhet rishikimi i tarifave dhe e cila gjë do të bëhet në konsultim me ekspertët dhe me interesin e Republikës së Kosovës. Këto konsultime do të jenë në konsultim publik deri me 30 janar 2024, të cilat më pas, me adresimin e komenteve eventuale, do të hyjnë në fuqi sipas procedurave të parapara.”
Në këtë dokument thuhet se në çdo sistem gjyqësor është edhe parimi i ekonomizimit, që do të thotë se shpenzimet mbulohen kur janë në mënyrë të arsyeshme e të nevojshme për një efikasitet të përfaqësimit ligjor./RTVDukagjini/