
Nga 1 shkurti policët në kryeqytet do të kenë shërbime falas nëpër QMF
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka njoftuar të martën drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK), Gazmend Hoxha, për të gjitha shërbimet që jepen falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë për të gjithë pjesëtarët e Policisë.
Sadiku tha se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi nga një shkurti dhe se ky është një vendim që ka marrë Asambleja Komunale e Komunës së Prishtinës.
Ai tha se ka njoftuar drejtorin e Policisë në detaje për shërbimet që do t’u ofrohen pjesëtarëve të Policisë.
“Ne e kemi njoftuar drejtorin e Policisë në detaje rreth shërbimeve të marrëveshjes se nga 1 shkurti do të përcjellin një mesazh te të gjitha ambulancat tona dhe shërbimet që i japin qendrat e shëndetit në Prishtinë, edhe Shërbimi Shëndetësor i Policisë do të bashkëpunojë me neve”, tha ai.

Ndërkaq drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha, tha se ky është një vendim i drejt dhe i mirëpritur për Policinë.
Ai tha se shpreson të ketë policë të shëndoshë për t’i shërbyer qytetarëve të Prishtinës.
“Ne u njoftuam për vendimin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, normalisht që është një vendim i drejtë dhe i mirëpritur, ne do të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës që jetojnë në Prishtinë që ti shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar falas kryeqyteti, po shpresojmë të kemi policë të shëndetshëm dhe të kemi policë të gatshëm në shërbim të qytetareve të Prishtinës dhe gjithë atyre që jetojnë këtu”, tha ai. /eo