Haxhiu: Kodi Civil do procedohet këtë vit, s’jemi të sigurt nëse i kemi votat
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është fatkeqësi që jemi në vitin 2024 dhe ende Kosova nuk ka Kod Civil, por sipas saj ai do të procedohet brenda këtij viti.
“Fatkeqësisht, në vazhdimësi është trajtuar vetëm një nen, që është neni 148 i draftit të Kodit Civil dhe nuk janë trajtuar institutet e reja, që janë të drejtat e grave, qytetarëve në përgjithësi”, tha Haxhiu për Betimin për Drejtësi.
Ajo tha se asnjë ligj në Ministrinë e Drejtësisë, nuk bëhet pa përfshirjen e institucioneve tjera, të shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve.
“Kodi Civil do të procedohet brenda këtij viti. Kosova si vend që pretendon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, nuk guxojmë të lejojmë që mos të kemi një dokument që avancon të drejtat e njeriut, sepse lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut”, ka thënë ajo.
Haxhiu shtoi se kanë qenë në përpjekje që të marrin mbështetjen e deputetëve, ndonëse tha se të gjithë kanë përgjegjësi që të japin votën për ketë dokument, por theksoi që nuk janë të sigurt nëse do të kenë 61 vota.
“Për bindjen time më mirë është të sigurohemi që i kemi 61 vota që marrin pjesë në votim dhe në anën tjetër ta procedojmë sepse dështimi i sërishëm në Kuvendin e Kosovës do të ishte fatale për Kosovën, sidomos edhe për së brendshmi dhe në rrugëtimin tonë drejt mekanizmave siç është edhe Këshilli i Evropës”, tha ajo.
Në anën tjetër, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se deri më tani çështja e Kodit Civil, do duhet të ishte çështje e harruar, pasi sipas tij, një ministër apo ministre e Drejtësisë do duhet të lë një trashëgimi dhe se shpreson se kjo e kësaj ministrie do duhej të ishte Kodi Civil.
“Duke pas parasysh gjithë këta numra, gjithë këtë rëndësi që ka Kodi Civil, sepse nuk është veç një nen, janë qindra/mijëra çështje të cilat trajtohen në Kod Civil”, tha ai.
Ndërsa, Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se Kodi Civil është pothuajse temë e harruar dhe shpreson që këtë vit të miratohet. /BetimipërDrejtësi