Kurti, krenar me studentët bursistë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Kurti, krenar me studentët bursistë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Aktuale December 19, 2023 - 12:42

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Kurti u shpreh krenar që ata janë pjesë e universiteteve publike të Kosovës, derisa u uroi suksese të mëtejme, raporton Zeri.info.

“Në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 Euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem”, u shpreh Kurti.

Kujtojmë se përveç përfitues të bursave në shumë prej 300 eurosh kanë qenë edhe nxënësit e shkollave të mesme.

Në këtë ceremoni ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se një shoqëri e cila kujdeset për të gjithë qytetarët, një Qeveri, e cila ofron mbështetjen e merituar për secilin, dhe një shtet që i krijon kushtet secilit të ri dhe të re ta arrijë maksimumin e potencialit të vet, kanë qenë jo vetëm zotimet tona, por edhe ajo që na ka prijë në programin tonë dhe në jetësimin e këtyre politikave në praktikë.

Edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se kjo është Qeveria e parë që i mbështet studentët jo vetëm deklarativisht dhe jo vetëm me rezervimin e një vendi në fakultetet publike, mirëpo edhe një bursë përcjellëse.

Pas fjalimeve hyrëse, u zhvillua edhe bashkëbisedim ndërmjet kryeministrit Kurti, ministrave të pranishëm dhe studentëve përfitues të bursës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët ndanë përvojat e tyre. /Zëri