Abdixhiku drekon me Hovenierin: Kosova s’ka aleat më të afërt se SHBA-në
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeff Hovenier sot zhvilluan një takim.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se për festat e fundvitit ka qenë i ftuar në drekë te rezidenca e Hovenierit.
“Drekat e punës me ambasadorin Jeff Hovenier janë gjithmonë të këndshme. Dhe kjo e sotmja, në rezidencën e tij, ishte e tillë. Veçse e shoqëruar me një dhuratë fundviti, një pako ëmbëlsirë nga Tacoma e shtetit të Washingtonit”, tha ai.
Tutje theksoi se me ambasadorin Hovenierin ka ndarë pikëpamje mbi zhvillimet politike në vend.
“Kosova nuk ka aleat më të afërt se SHBA-ja dhe LDK-ja do t’i ruajë këto relacione në çdo veprim të saj; duke avancuar gjithnjë interesin tonë shtetar”.
“Ambasadorin e falënderova për një vit të shkëlqyeshëm bashkëpunimi me LDK-në”, shkroi Abdixhiku. /Zëri