Hovenieri për Radoiçiqin: S’di si Serbia do t’i përgjigjet lëshimit të “Red Notice” nga INTERPOL-i
Foto: Laura Hasani

Hovenieri për Radoiçiqin: S’di si Serbia do t’i përgjigjet lëshimit të “Red Notice” nga INTERPOL-i

Aktuale December 13, 2023 - 11:18

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka folur sërish për çështjen e Millan Radoiçiqit dhe sulmin që ndodhi në Banjskë.

Hovenieri përsëriti se e dënojnë atë çfarë ka ndodhur.

Sa i përket lëshimit të urdhërarrestit nga INTERPOL-i, për Millan Radoiçiqin, ambasadori amerikan u shpreh se nuk e di sesi do t’i përgjigjet Serbia kësaj kërkese.

“Ne dënojmë çfarë ka ndodhur në Banjskë. SHBA-ja beson që të gjithë përfshirët në sulmin kriminal duhet të mbahen përgjegjës dhe ne presim që kjo të ndodhë dhe këtë e kemi bërë të qartë edhe me autoritetet në Serbi. Unë nuk e di sesi Serbia do ti përgjigjet ‘Red Notice’ të INTERPOL-it, për Radoiçiqin”, tha Hovenieri.

Ambasadori shtoi se “Red Notice” që lëshon INTERPOL-i thjesht pyesin qeveritë që potencialisht të arrestojnë dikë në bazë të një procesi ligjor të një vendi.

Kujtojmë se ditë më parë nga INTERPOL-i për Telegrafin nuk kanë dashur të komentojnë specifikisht për rastin e Radoiçiqit.

“Ju lutemi vini re se Organizata nuk komenton për raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet përkatëse kombëtare”, thuhet në përgjigjen e INTERPOL-it për Telegrafin.

Tutje INTERPOL-i ka shtuar se nuk lëshon urdhër arreste, por alarme ndërkombëtare që njihen “Red Notices”.

“Për informacionin tuaj të përgjithshëm, INTERPOL-i nuk lëshon urdhër arreste, me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas kontrolleve të pajtueshmërisë, INTERPOL-i lëshon alarme ndërkombëtare në kërkim të njohur si ‘Red Notices’”, deklaruan nga INTERPOL-i.