Vuçiqi grindet me Baerbockun e Cramonin

Vuçiqi grindet me Baerbockun e Cramonin

Aktuale December 08, 2023 - 21:28

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të premten gjatë një paraqitjeje televizive, në asnjë moment nuk u pyet e as nuk foli për letrën që Kosova e dërgoi nëpërmjet UNMIK-ut në Interpol, me anë të së cilës “Organizatës së Policive të Botës” i kërkohet lëshim i flet-arrestit ndërkombëtar për Milan Radoiçiqin, që ndodhet në Serbi, e i cili pranoi se qëndroi në krye të aktit të agresionit në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

Në vend të kësaj teme kryesore rajonale, Vuçiqi u vërsul me akuza ndaj politikaneve nga Gjermania.

Ministrja e Punëve të Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha para disa ditësh se po përcjellin me kujdes fushatën për zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor, dhe se kanë shqetësim të madh për tendencat që i quajti drejt propagandës nacionaliste.

“Me gjasë këtë shqetësim ajo (Annalena Baerbock) e ka sepse ka dëgjuar njerëzit nga lista opozitare ‘Serbia kundër dhunës’ që janë bërë atdhedashës, e të cilat përnjëherë dolën kundër Planit ‘Franko-Gjerman’. Nejse, talljet anash. Nuk është Baerbock e shqetësuar për këtë. Unë jam i shqetësuar për secilën fjalë që ajo e thotë, por nuk me vie në mend që të flas rreth kësaj”, tha Vuçiqi për Pink TV.

Ai vazhdoi me veprimtarinë e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, që po ashtu është politikane nga Gjermania, Viola Von Cramon.

Në kryeqytetin gjerman, ai po thotë se përfaqësues të rivalëve politikë nga opozita, kanë takuar raportuesen dhe të tjerë.

Baerbock, jo, por Von Crammon ka qenë shpesh në fokus të akuzave të kryetarit të Serbisë.

Kur e komentoi takimin e Vuçiqit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zeleknsky në Athinë më 22 gusht, raportuesja pati thënë se është “fort e mundur që kryetari i Serbisë i ofroi pazare ukrainasit”. Kjo që shteti që është në luftë me Rusinë, pra Ukraina të mos e njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran, e për këtë të marrë në këmbim armatim nga Beogradi. /klankosova.