“Shkoi në veri rrugëve të dhive”, Mustafa i reagon Mujës, ia bën disa pyetje për “Zajednicën”
Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i përgjigjet deputetit të LVV-së, Armend Muja, i cili tha se në kohën sa Mustafa ishte kryeministër kishte shkuar në Veri “rrugëve të dhive”, e jo rrugëve kah shkohet.
Sipas Mujës, tani me Qeverinë Kurti, atje është rikthyer normaliteti dhe nuk është siç ka qenë në qeveritë e kaluara.
Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se roli deputetit Muja është të “sqarojë se mbi çfarë baze u inkorporua Rezoluta 1244 më Statutin e tyre të Zajednicës”.
Mustafa tha se “Armend Muja ka dhënë betimin solemn në Kuvend, si deputet, ta mbrojë Kushtetutën e jo Rezolutën 1244”.
Ndërsa, sa i përket “rrugëve të dhive”, Mustafa u shpreh se për “dhitë në ato male kujdesen çobantë e jo deputetët e VV-së ( sepse edhe dhive ua kishin humbur farën)”.
“Armendi qenka marrë me rrugët e dhive, por roli i tij si deputet është të sqarojë se mbi çfarë baze u inkorporua Rezoluta 1244 më Statutin e tyre të Zajednicës, mbi çfarë baze u territoralizua autonomia serbe në kufijtë e komunave me shumicë serbe, dhe, si mundet një pjesë e një vendi sovran të trajtohet me arbitrazh (ndërkombëtar) kur ka Kushtetutë dhe ligje. Armend Muja ka dhënë betimin solemn në Kuvend, si deputet, ta mbrojë Kushtetutën e jo Rezolutën 1244, sepse edhe pa te e mbrojnë Rusia dhe Kina me veto në KS. Për dhitë në ato male kujdesen qobantë e jo deputetët e VV-së ( sepse edhe dhive ua kishin humbur farën)”, tha Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express.
Sipas deputetit Armend Muja, Qeveria Kurti e ka rikthyer normalitetin në veri të vendit. Ai tha se tash atje ka siguri dhe shteti ynë e ka marrë atë pjesë të territorit që ka qenë “jashtë kontrollit”.
Deputeti Muja, deklaroi në T7 se dallimi me qeveritë e kaluara sa i përket veriut, tashmë është si “nata me ditë”.
Muja deklaroi se në kohën sa kryeministër ka qenë Isa Mustafa, kishte shkuar në atë zonë “rrugëve të dhive”.
“A të kujtohet Isa Mustafa, në vitin 2016 e pati përuru një urë edhe tash kryeministri i vendit nuk shkojke më përmes rrugëve kah shkohet, po pati shku disa rrugëve në atë pjesë Rahovë, Boletin, menzi e patën çu fshatarët, dmth Rrugëve të Dhisë i thojshin ata fshatarët. Edhe s’kanë mujt me qarkullu atje, ky është dallimi”, tha Muja.