Kryediplomatja gjermane, Baerbock thotë se Vuçiqi po e tensionon situatën në Kosovë

Kryediplomatja gjermane, Baerbock thotë se Vuçiqi po e tensionon situatën në Kosovë

Aktuale December 05, 2023 - 18:19

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock sulmoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për sjelljen miqësore ndaj Rusisë dhe për vendosjen e opozitës së tij politike në disavantazh përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Ajo, në vizitën e saj në Slloveni, e kritikoi Vuçiqin për balancin e tij midis përafrimit me BE-në dhe Rusinë në të njëjtën kohë, ndërsa tha se “gjithashtu nxiti tensionet me Kosovën”.

“Kur flasim për zgjerimin, është thelbësore që nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë”, tha ministrja e Jashtme gjermane, raporton “Politico.eu”, transmeton Klankosova.tv.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Serbisë më 17 dhjetor, ajo i kërkoi Beogradit të garantojë qasje të barabartë në media për të gjithë kandidatët politikë dhe të ndalojë keqpërdorimin e burimeve të qeverisë në fushatën zgjedhore.

Ndër të tjera, Baerbock i kërkoi të martën kryeministrit hungarez Viktor Orban të heqë veton e tij për nisjen e bisedimeve të zgjerimit të BE-së me Ukrainën dhe miratimin e parave të reja për Kievin.

Baerbock reagoi në mënyrë kritike ndaj kërcënimit të fundit të lëshuar nga Orban të hënën. Udhëheqësi hungarez i shkroi presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel për t’i kërkuar atij që të hiqte nga agjenda e samitit të liderëve të BE-së javën e ardhshme bisedimet për hapjen e negociatave të pranimit me Ukrainën.

“Ne nuk kemi kohë për lojëra në këtë moment”, tha Baerbock në Lubjanë.

“Nëse jemi në një situatë ku paqja në Evropë është nën sulm, atëherë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi çdo ditë dhe çdo orë për të mbrojtur popullin tonë, dhe aq më tepër popullin e Ukrainës, në mënyrën më të mirë të mundshme”.

BE-ja kishte planifikuar të miratonte nisjen e bisedimeve të zgjerimit dhe dhënien e 50 miliardë eurove në mbështetje financiare për Ukrainën gjatë samitit të saj të 14-15 dhjetorit. Por këto hapa kërkojnë unanimitet midis të 27 liderëve të BE-së, duke lejuar Orbanin të kërcënojë me veton.

Diplomatët nuk pajtohen nëse udhëheqësi hungarez është i vendosur të prishë mbështetjen për Ukrainën ose nëse ai po përpiqet të shantazhojë Brukselin, me synimin për të zhbllokuar më shumë se 13 miliardë euro në fondet e BE-së për Hungarinë, të cilat janë frenuar për shkak të shqetësimeve të sundimit të ligjit.

Baerbock, megjithatë, u zotua se BE-ja “do të bëjë gjithçka që mundemi për të siguruar që Ukraina të ndërmarrë hapin tjetër në negociatat e pranimit”.

Ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon kritikoi gjithashtu Orbanin gjatë konferencës për shtyp: “Unë nuk pranoj shantazhe”, tha ajo, duke shtuar se vendet që bënë përpjekje reformuese për t’u bërë anëtare të BE-së “nuk duhet të bëhen viktima të politikës kombëtare”.