Revista e njohur gjermane për situatën Kosovë - Serbi: Një bombë në mes të Evropës
Revista e njohur në gjuhën gjermane “Cicero” ia ka kushtuar një artikull të gjatë rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, aktiviteteve të Rusisë në drejtim të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjeve të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për të parandaluar shpërthimin dhe ripërtëritjen e konflikteve të armatosura në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.
Në një artikull të përbashkët nga dy ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare, David Shedd dhe Ivana Stradner, thuhet se konflikti Kosovë - Serbi mund të përshkallëzohet për shkak të aktiviteteve destabilizuesve të presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, derisa fuqitë perëndimore janë të fokusuara ndaj Ukrainës dhe Izraelit.
Autorët e artikullit të titulluar “Një bombë në mes të Evropës” sugjerojnë se ekzistojnë shumë indikacione se incidentet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe shkojnë përtej tensioneve të njohura të viteve të fundit, duke përfshirë fushatën dezinformuese të Rusisë për të ngjallur mosbesimin e serbëve të Kosovës dhe për të përhapur mesazhe luftënxitëse.