Kurti përshëndet bashkimin e pesë partive në Luginë: Shqiptarët duhet të përfaqësohen në parlamentin e Serbisë
Këtë të diele, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në Prishtinë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët përtej dallimeve politike lokale, kanë vendosur të mblidhen rreth një liste të përbashkët për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.
“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon - Shaip Kamberi”, ka grumbulluar rreth vetes Partinë për Veprim Demokratik të udhëhequr nga Shaip Kamberi, Partinë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës, Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqipërim Musliut, Unionin Demokratik Shqiptar me Naser Azirin dhe Aleancën për Luginën, të përfaqësuar nga Armend Aliu.
Diskriminimi në përfaqësim, pasivizimi i adresave, padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve janë çështje e brenga për të cilat ka nevojë që të flitet me zë të bashkuar e të koordinuar, u tha në takim.
“Kryeministri Kurti u uroi përfaqësuesve të këtyre pesë partive politike për dakordimin e arritur dhe u dëshiroi përgatitje e fushatë të suksesshme për zgjedhjet e 17 dhjetorit, e të cilat kanë rëndësi të veçantë për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë si dhe për synimet e përbashkëta për drejtësi dhe barazi për shqiptarët si pakicë kombëtare atje”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se e ka njoftuar kryeministrin Kurti mbi rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm”, ka thënë Kamberi.
Ai e ka quajtur të rëndësishme që në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi të vazhdohet përfaqësimi i drejtë dhe i denjë i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi”, ka thënë Kamberi. /Zëri