
Vrasja e Liridonës, Maqedonci: Ndaj pjesëtarit të FSK-së do veprohet në përputhje me rregulloret
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke iu referuar përfshirjes së pjesëtarit të FSK-së në vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se ndaj tij do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor.
Postimi i plotë:
I tronditur kam përcjellur ngjarjen e fundit tragjike, atë të vrasjes së Liridona Ademaj. Ndërkohë që zhvillimet e fundit rreth zbardhjes së rastit kanë sjellur një situatë makabër në publik, para pak çastesh jam informuar për arrestimin e një pjesëtari të FSK’së në lidhje me rastin.
Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor ndërsa deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ndaj pjesëtarit të FSK’së do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së.
Ngushëllime familjes, të afërmve dhe gjithë qytetarëve të prekur nga vrasja e Liridona Ademajt!