KPM-ja kërkon buxhet për 37 pozita, nga Qeveria i aprovohen vetëm pesë

KPM-ja kërkon buxhet për 37 pozita, nga Qeveria i aprovohen vetëm pesë

Aktuale November 29, 2023 - 13:51

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka diskutuar në lidhje me kërkesat buxhetore për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin 2024.

Në këtë dëgjim publik pjesëmarrës ishin institucionet e agjencitë që bien në fushëveprim të këtij komisioni, ku prezentë ishin përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të cilët thanë që janë të kënaqur me ndarjet buxhetore që janë ndarë për vitin 2024.

Ud. i kryeshefit ekzekutiv të KPM-së Farku Regjaj tha se kanë pasur kërkesa për ndarje buxhetore për tri projekte, të cilat janë aprovuat nga Qeveria, për të cilën tha se janë shumë të kënaqur.

Ai tha se kërkesa e KPM-së ka qenë të shtohen edhe 37 pozita të reja të punës në këtë institucion, nga të cilat tha se janë aprovuat vetëm pesë pozita.

“Sa i përket projektbuxhetit, këtë vit se paku deri tani KPM-ja është bukur e kënaqur në aprovimin e gjitha projekteve kapitale që ka pasur. Kanë qenë tri kërkesa të tria janë aprovuar. Të pagat e shtesa, kemi aprovim në vetëm 5 pozita për këtë vit. A janë të mjaftueshme, nuk janë të mjaftueshme”, tha ai.

Deputeti i PDK-së Mergim Lushtaku ka pyetur përfaqësuesit e KPM-së se për pjesën e digjitalizimit a kanë kërkuar buxhet shtesë.

Deputeti i LDK-së Agim Veliu ka pyetur në lidhjet me kërkesat për punëtorë.

“Deshta të ndalem të kërkesa për pozita të reja. Thanë që janë 39 pozita ekzistuese, që e kanë me rrit numrin në 76 po me duket e paarsyeshëm. Dhe që sa nuk keni kryeshef ekzekutiv”, pyeti ai.

Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri tha se është e rëndësishme që kërkesa për staf të merret parasysh, por sipas tij edhe aprovimi për pesë pozita është në rregull.

“Unë e lexova kërkesën, e pashë se keni kërkesë për staf. Është e detajuar se për çka ky staf është për vlerësimin tim investim kapital, sepse te ju njerëzit e kryejnë punën. Kërkesa për staf është investim kapital dhe duhet që të trajtohet. Nuk ka rishikim. Ta shohim se a ka mundësi që këta të reduktojnë. Pesë qenkan mirë”, tha ai.

Regjaj, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, tha se punëtoret në këtë institucion marrin detyra shtesë në mungesë të stafit, sipas tij, në këtë fazë u duhen së paku edhe 15 punëtorë, raporton EO-ja.

Ai me këtë rast ka shpjeguar edhe arsyet se pse qe dy vjet KPM-ja është duke vazhduar me ushtrues detyre. “Do të jetë një kërkesë e KPM-së. Jemi jashtëzakonisht pak edhe me pesë të aprovuar. Secili punëtorë në KPM merr detyra shtesë, në këtë fazë duhet edhe 15 punëtorë shtesë. KPM-ja qe dy vjet e gjysmë është duke punuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv”, tha ai.