E rënduar nga jeta, 83-vjeçarja Naile Çitaku jeton në vetmi
Naile Çitaku nga fshati Bajçinë e Podujevës tash e 10 vjet jeton e vetme. Ajo tregon se si është të jetosh e vetme dhe me problemet që haset çdo ditë.
Ne këtë shtëpi të vjetër, tash e 10 vjet, në gjendje të rendë sociale, jeton e vetme 83-vjeçarja Naile Çitaku, nga fshati Bajçinë e Podujevës. Përveç gjendjes së rendë ekonomike, ajo tash e dy javë nuk arrin të kryej as nevojat e veta elementare.
Para 10 vjetësh asaj i kishte vdekur bashkëshorti duke e lënë të vetme. Nailja thotë se njerëzit e vullnetit të mirë po e ndihmojnë herë pas here.
“Nuk jam e ligë që s’po muj çona, veç po narth e s’po muj çona kaniherë a din e me pas me dhezë zjermin po del punë. Zjarrin dhezë me lonë nuk e ki sigurt e këtu mrena nxehtë e kom. Kaniherë po vijnë me më këqyrë a jamë gjallë'', tha ajo.
Nëna Naile thotë se mungesa kryesore që ka, është prania e dikujt të afërt për ta ndihmuar dhe për t’i komunikuar problemet e saj.
“Vallahi mëriza ma ka mujt, s’ke kanë e thirr, s’ke kujt i thua diçka, s’ke kujt ja banë dertin, s’punon goja me folë, s’ki me kanë...m’a zor pos deka është', thotë ajo.
Nga Komuna Podujevës kanë thënë se ky rast është lajmëruar dhe duke u trajtuar nga Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, drejtoresha Adelina Stublla thotë se Qendra për Punë Sociale ka marrë informata se zyrtarët kompetentë janë duke u marrë me rastin në fjalë. Sipas tyre, rasti është referuar nga nipi i saj, por deklarimi i palës ka qenë se nuk do ta lëshojë shtëpinë. Zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale janë duke u munduar që përmes bisedave e këshillave ta bindin për dërgim në shtëpinë e pleqve.
Deri në gjetjen e një zgjidhjeje, nënës Naile i duhet të presë ndihmë nga njerëzit vullnetmirë.
Të gjithë ju që dëshironi ta ndihmoni 83-vjeçaren Naile Çitaku, kontaktoni në 044 182 039.