Kurti: Serbia duhet të kërkojë marrëveshje ndërshtetërore për t’i mbajtur zgjedhjet në Kosovë

Kurti: Serbia duhet të kërkojë marrëveshje ndërshtetërore për t’i mbajtur zgjedhjet në Kosovë

Aktuale November 22, 2023 - 15:03

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.

Kurti këtë e tha pas një takimi që ka zhvilluar të martën me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Ata diskutuan për progresin në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve joshumicë në vend.

“Kryeministri theksoi përkushtimin e shtuar të Qeverisë ndaj komuniteteve joshumicë dhe rritjen e mbështetjes për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), si dhe angazhimin konstant me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën e Komisionarit për Gjuhë”.

“U diskutua edhe rreth temave tjera aktuale. Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, e cila është dërguar sot. /Zëri