Largohet nga Shërbimi Civil i sanksionuari nga SHBA-ja, Nexhat Krasniqi

Largohet nga Shërbimi Civil i sanksionuari nga SHBA-ja, Nexhat Krasniqi

Aktuale November 22, 2023 - 11:51

Nexhat Krasniqi, pas sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pezulluar nga detyra e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Këtë e ka konfirmuar sot ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se Krasniqi është pezulluar po atë ditë kur ka dalë edhe vendimi i Departamentit të Shtetit, raporton Zeri.info.

“Më datën 3 nëntor jemi njoftuar nga Departamenti i Shtetit që Krasniqi ka masë. Me po të njëjtën ditë është marrë vendimi për pezullimin nga pozita. Që nga ajo ditë deri më sot Nexhat Krasniqi me vendim të Komisionit Disiplinor është hequr nga Shërbimi Civil. Ndërkohë më 15 nëntor është vendosur si ushtrues detyre të përkohshme, për të cilët më pas do të hapet konkursi për të dyja pozitat”, tha Aliu në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Aliu shtoi se pas kësaj situate po presin informata nga DASH-i dhe për çfarëdo situate që shpie në diçka të dyshimtë, menjëherë do të kërkohet auditim. /Zëri