Vendimi i ri i Qeverisë, tash qytetarët mund të pajisen me letërnjoftime qysh nga lindja

Vendimi i ri i Qeverisë, tash qytetarët mund të pajisen me letërnjoftime qysh nga lindja

Aktuale November 22, 2023 - 11:02

Në Qeverinë e Kosovës është miratuar sot Projektligji për letërnjoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me miratimin e këtij projektligji, tash qytetarët e Kosovës mund të pajisen me letërnjoftim qysh nga lindja.

Mirëpo kjo, sipas Sveçlës, nuk është obligative.

“Ky projektligj përcakton kushtet, procedurat, organin kompetent për lëshimin, kushte për përdorimin e letërnjoftimin dhe detyrimet e shtetasit lidhur me përdorimin e tij. Si risi e këtij projektligji është krijimi i mundësisë që shtetasi i Kosovës nga lindja deri në moshën 16-vjeçare do të mundë të pajiset me letërnjoftim, por pa qenë i detyruar. Kjo do t’u mundësojë qytetarëve të kësaj moshe të lëvizin jashtë Republikës së Kosovës vetëm me letërnjoftim në ato vende që ka marrëveshje Republika e Kosovës”, tha Sveçla.

“Projektligji po ashtu rregullon shfrytëzimin e të dhënave elektronike nga letërnjoftimi, formën dhe përmbajtjen, afatin e vlefshmërisë së tij, si dhe rregullat në rast të dëmtimit, humbjes ose vjedhjes së letërnjoftimit”, ka thënë ai. /Express