Franca kërkon hapa konkret në zbatimin e marrëveshjeve

Franca kërkon hapa konkret në zbatimin e marrëveshjeve

Aktuale November 21, 2023 - 23:56

Franca ka kërkuar përparim konkret në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të dakorduar në Ohër. Franca kërkon që hapat konkret të shihen para takimit të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Gjatë këtyre takimeve, Rene Troccaz nënvizoi angazhimin e Francës ndaj zgjerimit të BE-së në rajon dhe mbështetjen tonë të plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Franca dëshiron të shohë përparim konkret në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit përpara takimeve të ardhshme politike të nivelit të lartë në Bruksel”, thuhet në një komunikatë të Ambasadës së Francës në Kosovë.

Rene Troccaz është emëruar emisar i Francës për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ai ka zhvilluar një vizitë në Kosovë të hënën, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.