Stoltenberg në Shkup: Ballkani, thelbësor për sigurinë e Evropës – nuk shohim kërcënim ushtarak nga Rusia

Stoltenberg në Shkup: Ballkani, thelbësor për sigurinë e Evropës – nuk shohim kërcënim ushtarak nga Rusia

Aktuale November 21, 2023 - 19:09

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas vizitave që i bëri në Bosnjë, Kosovë e Serbi, gjatë ditës së sotme po qëndron në Maqedoninë e Veriut ku iu drejtua Kuvendit.

Në fjalimin e tij, Stoltenberg tha se “Ballkani Perëndimor është thelbësor për sigurinë e Evropës”.

Ai falënderoi Maqedoninë e Veriut për përkushtimin e saj për sigurinë e Aleancës, duke përfshirë mbështetjen e vlefshme për misionin paqeruajtës KFOR në Kosovë.

Sekretari përshëndeti edhe ndihmën e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën. “Këtu, në këtë Asamble, ju jeni të bashkuar në denoncimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s në mars të vitit 2020, pas marrëveshjes së Prespës, për të cilën Stoltenberg tha se “kontribuoi në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe një të ardhme më të ndritshme për popullin e Maqedonisë së Veriut”.

Stoltenberg shtoi se Maqedonia e Veriut është shembull i një shoqërie të suksesshme multietnike. “Ju i demonstroni rajonit dhe mbarë botës se është e mundur që grupet e ndryshme etnike dhe fetare të jetojnë së bashku në paqe”, tha ai.

Ndërkaq, pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Aleanca Veri-atlantike do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, apo kërcënim ushtarak ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-së apo edhe të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Këtë deklaratë ai e bëri kur u pyet të komentojë deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia po synon të nxisë konflikt në rajon.

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, apo rajonit, por gjithsesi se jemi të kujdesshëm dhe nga afër po vëzhgojmë çfarë po bën Rusia. Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, KFOR-in në Kosovë, shtabin e përgjithshëm në Sarajevë dhe zyrën në Beograd dhe jemi të përgatitur që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo aleat nga çfarëdo qoftë kërcënimi”, tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm tha më tej se “NATO mund të mbështetet në Maqedoninë e Veriut dhe Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në NATO”.

Aleanca garanton sigurinë tuaj. Ju jeni të mbuluar nga policia ajrore e NATO-s. Avionë luftarakë nga Greqia dhe Italia patrullojnë qiellin tuaj për t’ju mbajtur të sigurt. Ky është solidariteti i NATO-s në veprim”, u shpreh ai pas takimit me Kovaçevskin.

Stoltenberg paralajmëroi gjithashtu se shtetet autoritare po kërkojnë të minojnë lirinë dhe mënyrën tonë të jetesës, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. “Përgjigja jonë duhet të jetë të punojmë edhe më ngushtë së bashku në NATO. Nëpërmjet pranisë sonë ushtarake dhe bashkëpunimit tonë me aleatët dhe partnerët, ne jemi një forcë e fortë për stabilitet në rajon”, deklaroi shefi i NATO-s.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Stoltenberg do të takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. /klankosova