Vetëvendosja: Provat për rastin “Dehari” askush s’mund t’i dëmtojë

Vetëvendosja: Provat për rastin “Dehari” askush s’mund t’i dëmtojë

Aktuale November 21, 2023 - 16:04

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi mëngjesin e sotëm është përfshirë nga zjarri një pjesë e ndërtesës së Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Është zëdhënësi i këtij subjekti politik, Arlind Manxhuka, i cili ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, shkruan Zeri.info.

Manxhuka ka thënë se askush nuk duhet të shqetësohet pasi që siç u shpreh ai, askush nuk mund t’i dëmtojë provat për rastin “Dehari”, pasi që sipas tij, mbi to janë bërë tashmë ekspertiza e superekspertiza.

“Të shqetësuar jemi vetëm mbi padrejtësinë, moszbardhjen ende të atij rasti. Rasti i Astrit Deharit është me të vërtetë rast që ka prekur gjithë shoqërinë dhe çkado që ndodh njerëzit me të drejtë hedhin dyshime, por provat dhe e vërteta janë të pazhbëshme tashmë. Është koha vetëm për drejtësi”, ka shkruar Manxhuka ndër të tjerash, përcjell Zeri.info.

Reagimi i plotë i Manxhukës, pa ndërhyrje:

Sa i përket rastit “Dehari” nuk mundet askush t’i dëmtojë më ato prova sepse mbi to janë bërë tashmë ekspertiza e superekspertiza. Kështu që për sigurinë e tyre nuk duhet askush të shqetësohet. Të shqetësuar jemi vetëm mbi padrejtësinë, moszbardhjen ende të atij rasti. Rasti i Astrit Deharit është me të vërtetë rast që ka prekur gjithë shoqërinë dhe çkado që ndodh njerëzit me të drejtë hedhin dyshime, por provat dhe e vërteta janë të pazhbëshme tashmë. Është koha vetëm për drejtësi.