Zv.komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve: Në IML u dogjën zyra e drejtorit dhe disa dokumente

Zv.komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve: Në IML u dogjën zyra e drejtorit dhe disa dokumente

Aktuale November 21, 2023 - 09:48

Zjarri në objektin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë tashmë është lokalizuar, ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra.

Para mediave nga vendi i ngjarjes, Shkodra ka thënë se rasti është lajmëruar rreth orës 8:00.

Sipas Shkodrës, zyra që ka pësuar djegie është ajo e drejtorit, e madje janë djegur edhe disa dokumente zyrtare.

“Disa dokumente zyrtare, zyra e drejtorit është djegur”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me zjarrin që ka kapluar Institutin e Mjekësisë Ligjore. Në një përgjigje për Nacionalen, Policia theksuar se raportohet që nuk ka të lënduar nga ky zjarr.

“Sot rreth orës 8:00 është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit, të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.