Çollaku: NATO-ja e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë në Ballkan

Çollaku: NATO-ja e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë në Ballkan

Aktuale November 20, 2023 - 19:05

Fatmir Çollaku, ekspert i çështjeve të sigurisë, ka folur për sigurinë, si dhe për shqetësimet e NATO-s për këtë çështje në vend dhe rajon. Ai tha se mesazhet e NATO-s janë një rikonfirmim  për stabilitetin në rajon dhe një mesazh i fuqishëm për Serbinë dhe të gjithë ata që rrinë prapa saj në skenarë të mundshëm për destruktivitetin e mundshëm në Ballkan e më gjerë.

“Ajo që nuk u tha qartë, por që u nënkuptua, është se NATO është e konsoliduar”, tha njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku në RTK, teksa shtoi se NATO nuk ka qenë kurrë okupuese, por ka pasur karakter mbrojtës për të gjitha vendet anëtare të saj.

“NATO ka përkushtim të shtuar për të garantuar siguri në vendet e rajonit dhe të parandalojë çfarëdo qoftë skenari për destabilizimin e këtyre vendeve dhe të rajonit në tërësi”, deklaroi, mes tjerash, Çollaku.

Ai, lidhur me reagimet e tanishme të NATO-s për delkarimet e Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë dhe më gjerë, tha se janë të vonuara, sepse, sipas tij, Serbia, herë hapur e herë tërthorazi, ka shprehur pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe interesimin e saj për të dominuar në këtë pjesë të Ballkanit.