Kurti: Serbia ka 48 baza operacionale përreth kufirit me Kosovën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij, përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.
Sipas njoftimit, në këtë takim të parë me kryeministrin Kurti në Prishtinë dhe vizitën e parë të emisarit Troccaz në Kosovë pas emërimit të tij nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës në fund të shtatorit të këtij viti, u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen dhe zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
Teksa në lidhje me procesin e dialogut, thuhet se kryeministri Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë proces, dhe e njoftoi atë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë. Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci.
“Kurse, për sa i përket situatës së sigurisë, kryeministri rikujtoi kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën. Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit, tha kryeministri, teksa shtoi se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet tutje
Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ndërkaq, emisari francez Troccaz po shoqërohej nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.