Integrimi dhe tensionet Kosovë - Serbi, Rama: “Vetëvrasje” për BE-në nëse ndalet procesi
Në intervistën për “France24”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u pyet për integrimin e rajonit tonë dhe problemet mes shteteve, kryesisht mes Kosovës dhe Serbisë.
Rama tha se një arsye e rëndësishme për integrimin e rajonit janë edhe problemet mes shteteve, ndërsa theksoi se do të ishte “vetëvrasje” për Bashkimin Evropian nëse do të përjashtonte rajonin ose disa vende.
Ju keni përshtypjen se Komisioni Evropian, vendet evropiane janë më të bindur për interesin gjeopolitik të integrimit të vende të Ballkanit, por mbeten ende problemet mes tyre, sidomos mes Serbisë dhe Kosovës, me tensione shumë të dukshme. Si mendoni se mund të zgjerohet Klubi i 27 vendeve me vende që kanë ende tensione të forta mes tyre?
Kryeministri Edi Rama: Ndoshta, është ajo që thatë ju dhe me të drejtë. Ndoshta kjo është një arsye më tepër për t’i integruar. Nga pikëpamja gjeopolitike do të ishte vetëvrasje për Bashkimin Evropian nëse do të përjashtonte rajonin ose disa vende. Duhet të bëjë të kundërtën e kësaj, duhet të përfshijë dhe të bashkojë, sepse është mënyra e vetme për të arritur paqen përfundimtare në rajon. Po, ka herë pas here probleme, ka goditje dhe kthime pas, por kuadri i përgjithshëm i rajonit është shumë më i mirë se sa para 10 vjetësh. Dhe kjo falë Bashkimit Evropian dhe tërheqjes që gëzon Bashkimi Evropian në këto vende.