Dëshmitari Hoxha thotë se me Jakup Krasniqin ishin në burg, por s’e pa në uzinë gjatë vitit 1999
Gjatë dëshmisë së tij, të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, dëshmitari Zijadin Hoxha ka thënë se me Jakup Krasniqin kanë qenë në burg bashkë si të burgosur politikë në ish-Jugosllavi, por mohoi ta ketë parë në uzinë gjatë vitit 1999.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, dëshmitari Hoxha tha se me Jakup Krasniqin kanë qenë pothuajse tre vjet bashkë në burgun e Novi Sadit.
“Po. E njoh bile shumë moti qysh prej viteve ‘’87-’88, faktikisht në burg kemi qenë së bashku me Jakup Krasniqin. Ai ka qenë politikisht i denum, qashtu kam qenë edhe unë. Gati 3 vite kemi qenë së bashku në burgun e Novi Sadit”, tha dëshmitari Hoxha.
Dëshmitari u shpreh se është i bindur 100% se Jakup Krasniqin nuk e ka parë në uzinën e metalit në Kukës gjatë periudhës së vitit 1999.
I pyetur për Bislim Zyrapin, dëshmitari tha se ka qenë komandant dhe se kohë pas kohe ka qenë në uzinën e metalit në Kukës.
“E kam pas komandant, e kam pas. Kohë pas kohe ka qenë aty. Pa ndërprerë nuk ka qenë aty por kohë pas kohe. Ai ka qenë komandant i operacionit “Shigjeta”, ai e ka udhëheq komplet”, tha Hoxha.
Ndërsa, për një person me emrin Bedri Azemi, dëshmitari tha se me të janë njoftuar në kazermë.
“E njoh Bedri Azemin. Në kazermë jemi njoftu dhe sot e asaj dite kemi shoqëri së bashku. Rolin saktësish nuk e di, a e ka pas… edhe ia ka qenë në logjistikë, të gjithë kemi qenë në logjistikë faktikisht, por nuk e di a e ka pas depon e materialit ushqimor apo uniformave, nuk e di cilin resurs e ka pas. Bedria ka qenë vazhdimisht aty. Me Bedrinë faktikisht një shtrat e kemi nda”, tha dëshmitari Hoxha.
Kurse, për Sabit Gecin dëshmitari tha se e ka njohur pas luftës, e me të është takuar 2-3 herë.
“Sabit Gecin e kam njoftë pas lufte, gjatë luftës nuk e kam njoftë Sabit Gecin. Pas luftës ka pas rast jemi taku 2-3 herë më të, por gjatë luftës nuk kam pas rast me e taku. Pas lufte, po pas lufte e kam taku diku vitet 2000. Gjatë luftës nuk e kam taku asnjëherë, as në fabrikën e uzinës as kërkun”, tha dëshmitari Hoxha.
Ndërsa, për Xhemshit Krasniqin, dëshmitari tha se ka dëgjuar që është dënuar që ka qenë në uzinën e metalit në Kukës.
“Veç ni sekond. Si figurë po, pas lufte faktikisht kam dëgju që është dënu që ka qenë aty, por me e njoftë personalisht nuk e njoh”, tha Hoxha.
Për personin me emrin Fadil Hoxha, dëshmitari tha se ka qëndruar në uzinën e metalit në Kukës.
“Po e kam njoftë edhe e njoh, Ka qëndru faktikisht (në uzinën e metalit në Kukës). Saktësisht nuk e di, më duket ka qenë komandant i policisë ushtarake, por nuk jam i saktë”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se Ruzhdi Saramatin nuk e ka takuar asnjëherë deri paslufte.
“Atëherë nuk e kam taku asnjëherë. Mbas lufte e njoh faktikisht a atëherë nuk e kam taku asnjëherë”, tha Zijadin Hoxha.
Dëshmitari u pyet edhe për disa persona të tjerë, për të cilët tha se kanë rënë dëshmorë, si Salih Saramati, Selver Maçka, Shpend Berisha, Gani Saramti dhe Abdurrahman Gerdellaj.
“(Selver Saramtin) Jo nuk e kam njoftë, as tash nuk e njoh. Faktikisht Salih Saramati ka ra dëshmor. Në dyluftim me forcat serbe është vra. Është dëshmor i kombit. (Selver Maçka )Edhe ai është vra në Gorozhup, është vra nga forcat serbe. Është varrour në varrezat e Kukësit, është varros maspari. (Shpend Berisha)- Edhe ky është dëshmor, është vra në të njëjtën ditë me Selver Maçkën, të gjithë këta janë dëshmorë të kombit. (Abdurrahman Gerdellaj) Në të njëjtën ditë është vra me Selverin dhe me këta të tjerët. (Gani Saramati) Edhe ky është dëshmor i kombit. Edhe ky është vra në Gorozhup. Është plagu faktikisht në Goruzhup dhe ka vdekë në Tiranë”, tha dëshmitari Zijadin Hoxha.
Ndërsa, për Ilir Ukmakaj, dëshmitari tha se ka dëgjuar asnjëherë për këtë person. Kurse, për një person me emrin Shefki Abdullahu, dëshmitari tha se ka qenë në uzinë.
“Po e njoh. Faktikisht edhe Shefkiu ka qenë në uzinë, por çfarë grade ka qenë nuk e di. Çfarë punë ka kry, nuk e di”, tha ai.
Ndërsa, për Ismet Thaçin tha se kanë shkuar nga Tirana për në Kukës së bashku për t’u kyçur në UÇK, mirëpo në uzinë se çfarë roli kishte ai thotë se nuk e di. Ai tha se personin me emrin Bedri Halimi nuk e ka njohur gjatë luftës dhe se për të ka dëgjuar pas lufte.
Ndryshe, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca gjyqësore vazhdoi për pak minuta në sesion privat.
Dëshmitari Hoxha thotë se gjatë luftës nuk i ka njohur Time Kadrijajn dhe Safete Hadergjonajn
Dëshmitari Zijadin Hoxha ka thënë se në kohën e luftës nuk i ka njohur, tani deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijajn dhe ish-deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj.
“Jo nuk e njoh. Tani e njoh por në luftë nuk e kam njoftë”, tha Hoxha duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtjes së Pjetër Shalës, përmes avokatit Jean-Louis Gilissen, për Time Kadrijajn.
Ndërsa, për Safete Hadergjonajn, dëshmitari Hoxha tha se tani e njeh pasi që është fytyrë publike.
“Sot e njoh, gjatë luftës nuk e kam njoftë. Është fytyrë publike faktikisht”, tha dëshmitari Hoxha.
I pyetur për një person me mërin Ilir Blakaj, dëshmitari tha se nuk e njeh.
Veç tjerash, avokati Gilissen pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë zyrtar apo komandant nga Shqipëria që ka qëndruar në uzinën e metalit në Kukës.
“Me duket ka qenë një, por emrin nuk e di”, tha dëshmitari Hoxha duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Pjetër Shalës.
Ndërsa, për një person me emrin Spiro Butka, dëshmitari tha se nuk e njeh personalisht.
Tutje, dëshmitari tha se ai vetë ka punuar në brendësi të depos në uzinën e metalit në Kukës, konkretisht në riparim.
Dëshmitari Hoxha pyetet për uzinën e Kukësit
Dëshmitari Zijadin Hoxha është pyetur për uzinën e metalit në Kukës nga mbrojtja e Pjetër Shalës, avokatit, Jean-Louis Gilissen.
I pyetur se a është në gjendje që të përshkruaj uzinën e metalit në Kukës, dëshmitari tha se mund ta bëjë afërsisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Munet me ndodh qe qind për qind nuk mundem me ua përshkru, por afërsisht po”, tha dëshmitari Hoxha.
Pas kësaj, dëshmitarit Hoxha iu prezantuan disa fotografi të uzinës së metalit në Kukës që sipas avokatit Gilissen, ato i përkasin vitit 2019.
“Sa po e njeh unë këtë vend është hyrja në uzinë”, tha dëshmitari që me kërkesën e mbrojtjes shënjoi objektet që ju prezantuan.
Në njërin prej objekteve të prezantuara dëshmitari Hoxha tha se i ngjasonte me shtabin që ndodhej aty.
“Dyrtë e hymjes po me duket ndërtesa në anën e majtë ku ka qenë shtabi”, tha Hoxha.
Ndërsa për një fotografi tjetër, dëshmitari tha se ka qenë Shtabi i Logjistikës.
“Ndërtesa e madhe që është me dy kate që ka disa kate. Kjo këtu ka qenë shtabi i logjistikës. Komanda e logjistikës në përgjithësi”, tha Hoxha duke pohuar se është ndërtesa e njëjtë që e shënjoi me numrin ‘1’.
Dëshmitari Hoxha tha se në katin e parë të kësaj ndërtese kanë punuar në logjistikë ndërsa në katin e dytë kanë qendru komandantët.
“Në katin e parë kanë nejt shumica kanë nejt që kanë punu në logjistikë, ushtarët. Në katin e dytë kanë nejtë…Komandant Marku e komandantat e tjerë”, tha Hoxha.
Zijadin Hoxha tha se ai nuk ka pasur fare zyrë aty, por që ka shkaur të flejë herë pas here në njërën nga zyrat.
“Unë nuk kam pas zyre fare aty, ka qenë vetëm një zyre ku kam flejt kohë pas kohe me do kolegë të tjerë, faktikisht unë zyre nuk kam pas aty.Shumë shpesh kam flejt atu, këtu ka qenë zyrja e një komandanti tjetër faktikisht. Aty kanë qenë tre shtretër dhe një tavolinë, aty kemi flejtë me disa kolegë të tjerë”, tha Hoxha.
Ndërsa gjatë kohës që ka fjetur në uzinën e Kukësit, dëshmitari Hoxha tha se natën nuk ka dëgjuar zhurma nga dhomat e tjera.
I pyetur se a ka ndodhur që të ketë dëgjuar ndonjë zhurmë të veçantëar natën, dëshmitari tha se as nga jashtë nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
“Ndonjë zhurmë diçka të posaçme nuk ka ndodhë. Gjatë ditës ka pas qarkullim të njerëzve pa ndërpre, pa ndërpre është punu, kanë ardh materiale kanë shku materiale në vijat e frontit. Aty ka qenë qarkullimi pa ndërpre, por në mbrëmje ka qenë qetë se natën nuk kanë pas qarkullime”, tha Hoxha.
Ndërsa, në një dhomë mjekësore, Hoxha tha se kanë qëndruar dy tri vajza dhe se ka qenë në katin përdhese të ndërtesës.
“Ku kanë nejtë dy vajza apo tri, nuk e di sa kanë qenë. Në katën perdhesë faktikisht aty tek hymja në anën e djathë, afër hymjes ka qenë”, tha Hoxha.
I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, për një ndërtesë ngjyrë hiri, dëshmitari tha se ka qenë një katëshe.
“Vetëm që ka qenë lartësia më e madhe, se 1 kateshe ka qenë. Sa e di unë, mos gabofsha 1-katshe ka qenë”, tha dëshmitari Hoxha.
Dëshmitari Hoxha tha se personat që kanë hy në uzinën e Metalit në Kukës nuk kanë pasur të drejtë të mbajnë armë të gjata.
“Faktikisht armë të brezit, armë të vogla kanë pas të drejtë të gjithë me mbajt, ai që ka pas. Për armë të gjata faktikisht nuk ka pas të drejtë askush me mbajtë brenda uzinës. Përveç, rojës që ka qenë aty brenda po, për ndryshe nuk kemi pas të drejtë me mbajtë armë të gjata”, tha Shala.
Fillon dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha në gjykimin ndaj Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i pestë i mbrojtjes, Zijadin Hoxha (me kodin W03887, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit, Jean-Louis Gilissen. Dëshmitari Hoxha tha se ka qenë i burgosur politik.
“Kam qenë në vitin 81 i burgosur politik. I kam mbajt 9 vjet burg në burgjet e Jugosllavisë. Me kanë akuzu si kundërrevolucionist”, tha Hoxha.
Dëshmitari Hoxha tha se deri në prag të luftës ka jetuar në Gjermani pasi që në vitin 1993 ishte larguar nga vendi me arsyen se kishte tendenca që të arrestohet serish.
“Në vitin 1993 jam largu. Kanë deshtë me më arrestu për të dytën herë UDB-ja jugosllave dhe kam ikë nga vendi im kam dal në Gjermani dhe e kam fitu azilin politik në Gjermani dhe në Gjermani kam jetu”, tha Hoxha.
Dëshmitari Hoxha tha se me 22 ose 23 prill të vitit 1999 ka ardhur në Shqipëri për t’u mobilizuar në UÇK. Ai tha se nga Gjermania ka ardhur me një shok të tij të quajtur, Ekrem Ahmeti.
Sipas kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia pyetjet për këtë dëshmitar do t’i vazhdojë edhe përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe pastaj avokati që përfaqëson viktimat në këtë çështje gjyqësore.
Gjyqtarja Veldt- Foglia tha se pyetje për këtë dëshmitarë mund të kenë edhe anëtarët e trupit gjykues.
Sipas kryetares së trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme.
Në fillim të seancës, trupi gjykues kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes së Shalës që të zgjasë afatin për marrjen në pyetje të dëshmitarit Zijadin Hoxha.
Vlen të theksohet se seancën gjyqësore, i akuzuari Pjetër Shala është duke e ndjekur përmes video-lidhjes.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.